15:00/ 8 qershor/ 2025
Shkup– Shmangja e qëndrimit në diell prej orës 11 deri në orën 17, veshja e rrobave të lehta, të gjera në ngjyra të hapura, kapelë dhe syze për diell, si dhe qëndrim në hapësira me ajër të kondicionuar kur ka mundësi, janë vetëm disa nga rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) pas paralajmërimeve për rritjen e temperaturave në vend. Rekomandimet kanë të bëjnë për të gjithë qytetarët, veçanërisht të kategorive më të ndjeshme – persona të moshuar mbi 60 vjet, fëmijë, gra shtatzëna, të sëmurë kronikë, persona me peshë të tepërt, ata me çrregullime mendore dhe qytetarë të cilët janë të nënshtruar në terapi specifike. ISHP paralajmëron se rreziku nga komplikimet shëndetësore është më i madh te ata që punojnë ose qëndrojnë në vende të hapura gjatë pjesëve më të nxehta të ditës.
Shkup – Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova prej sot po qëndron për vizitë pune në Nicë, të Francës, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Tretë të Kombeve të Bashkuara për Oqeanin (UNOC3). Gjatë konferencës, Siljanovska – Davkova, siç informoi Kabineti i saj, do të marrë pjesë në pritjen për nder të mysafirëve të lartë e organizuar nga presidenti i Republikës Franceze, Emanuel Makron. Ajo do të jetë pjesë e ceremonisë së hapjes së Dekadës për Shkencat Kriosferike, në praninë e drejtoreshës së përgjithshme të UNESKO-s, Odri Azule, si dhe prezantimit të rekomandimeve nga ngjarjet speciale të UNOC3 (Kongres për Shkencë Oqeanike, Forum për ekonomi gri dhe financa, Samit për rritje të nivelit të detit dhe rezistencë bregdetare) para shefave të shteteve dhe qeverive në “Agora Neptun” në praninë e presidentit të Republikës Franceze.
Shkup – Qeveria javën e ardhshme do të marrë Vendim me të cilin pushimorja “Ponikva” do të lihet në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë si objekt për kujdes të vazhduar mjekësor dhe rehabilitim të të lënduarve në zjarrin në Koçan. Siç bëri të ditur zëdhënësja e qeverisë Maria Miteva, pushimorja ka 27 dhoma dhe 56 shtretër, ndërsa gjendet në mjedis të qetë dhe natyror që e bën të përshtatshme për pacientët. “Bëhet fjalë për pacientë të cilët tashmë janë stabilizuar, por për të cilët ekziston nevoja për trajtim të mëtutjeshëm. Ata do të shpërndahen në disa grupe dhe do tu sigurohet qasje e personalizuar”, theksoi Miteva në konferencë për media në Qeveri.
Shkup– Kuvendi nesër në kuadër të mbledhjes së 54-t duhet ta shqyrtojë propozimin qeveritar që Azir Aliu të jetë ministër i Shëndetësisë. Në seancë, sipas rendit të ditës, është edhe propozimi për emërimin e Albrim Hoxhës zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Propozim – teksti për Aliun është dorëzuar nga Qeveria dhe është nënshkruar personalisht nga kryeministri Hristian Mickoski, e përmban biografinë e kandidatit. Në të bëhet e ditur se Aliu është inxhinier i diplomuar i elektros dhe doktor i shkencave informatike i cili për momentin e realizon funksionin profesor ordinar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Teknologjisë në kuadër të Universitetit të EJL në Tetovë. Aliu ishte ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës në vitin 2023 dhe 2024, ndërsa, sipas CV-së së dorëzuar, ishte edhe në pozita të tjera të larta dhe me përgjegjësi.
Shkup – Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Hristian Mickoski do të flasë në konferencën e 34-t vjetore të Unionit të Forcave Rinore (UFR) që do të mbahet sot pasdite në Veles. Konferenca është nën moton “34 vjet ekzistojmë për të rinjtë”, ndërsa në të, përveç Mickoskit, do të flasë edhe kryetari i UFR-së, Sergej Popov.
Shkup– Kryetari i Konfederatës së Organizatave Sindikale të Maqedonisë (KOSM) Marjan Risteski pret që së shpejti të miratohen ndryshimet ligjore për përfaqësimin e sindikatave dhe të mbajë mbledhje Këshilli Ekonomik – Social. Siç deklaroi sot, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, ngërçi është i madh dhe do të ishte mirë që sindikatat vetë të merren vesh lidhur me pagën minimale, e jo si në Serbi, për të të vendosë Qeveria. Sipas Risteskit, nëse ka më shumë sindikata, më i mirë do të jetë dialogu social dhe në interes të punëtorëve.
Shkup – Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pandërprerë, në rrugë të thata. Intensiteti në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur, ndërsa në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Shkup – Prej nesër rënie të temperaturave për tre deri pesë për qind, paralajmëron Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM). Sipas parashikimit, do të fryjë edhe erë mesatare deri e përforcuar veriore, ndërsa në orët e pasdites do të ketë kushte për paraqitje të paqëndrueshmërisë me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Temperatura e mëngjesit do të lëvizë prej 12 deri 20 gradë, ndërsa ajo e ditës prej 27 deri 36 gradë. Të martën moti do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare. Pasdite do të ketë kushte për paraqitje të izoluar të paqëndrueshmërisë me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior, ndërsa temperatura maksimale do të arrijë deri 34 gradë. Paraqitje lokale të paqëndrueshmërisë me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima pritet edhe të mërkurën dhe të enjten për kur temperaturat e ditës pritet të jenë maksimum 33 dhe 34 gradë.
Ankara – Xhandarmeria turke në rajonin Ajdin në një operacion të madh zbuloi mashtrim me kartela kreditore në qytetin turistik Kushadasi, me dëm të përgjithshëm prej afro 30 milionë dollarë, njoftoi “Turkije tudej”. Policia ka zbatuar aksione të koordinuara në rajonet Muglla, Izmir, Antalia dhe Stamboll. Hetimi ka filluar pas një sinjali nga banka tregtare, e cila ka vërejtur transaksione të dyshimta në llogaritë e klientëve të huaj. Transaksionet e parregullta ishin ndjekur deri në terminalet POS në dy hotele në Kushadasi.
Budapest – Një ushtar amerikan ndërroi jetë gjatë përgatitjeve për stërvitjen e ardhshme ushtarake „Saber Guardian 25“ në Hungari, njoftoi armata amerikane, ndërsa transmetoi Si-Bi-Es njuz. I ndjeri është 24-vjeçari Aron Koks nga Mabank, Teksas, pjesëtar i divizionit të 101-të ajror. Ai ndërroi jetë më 5 qershor në një aksident lidhur me pajisje ushtarake në afërsi të bazës “Kroft”. Komanda e divizionit njoftoi se Koks ka marrë lëndime vdekjeprurëse gjatë përplasjes me automjet ushtarak. Po zbatohet hetim për incidentin. Koks iu bashkëngjit armatës amerikane në vitin 2021 dhe ky ishte misioni i dytë ndërkombëtar, pas atij paraprak në Poloni në vitin 2022.
Kiev – Në një sulm ajror rus në zonën e Dnipropetrovskit mbrëmë është vrarë një person, njoftoi administrata rajonale. Kryetari i Këshillit të Zonës, Mikolla Lukashuk, informoi në Telegram se sulmi me bombë e ka goditur vendbanimin në komunën Mezhiva në Rrethin e Sinelnikovës, me çka u vra një burrë. Sulmi vazhdoi edhe ndaj rajonit fqinj Nikopolski, ku ishin përdorur dronë, artileri dhe sisteme me raketa “Grad”. Sipas Lukashuk, në qytetin Nikopol janë dëmtuar linja elektrike dhe shtëpi private.
Bogota– Kandidati kolumbian për president Migel Uribe, i cili ishte qëlluar në kokë gjatë një tubimi në Bogota, është operuar me sukses pasi u pranua në spital në gjendje kritike, njoftoi kryetari i kryeqytetit, Karlos Fernando Galan. “Migel Uribe e kaloi intervenimin e parë kirurgjik me sukses”, deklaroi Galan, duke shtuar se senatori 39-vjeçar nga Partia e Qendrës Demokratike hyn në “orët kritike” të shërimit, të cilat do të jenë kyçe për jetën e tij. Policia arrestoi një 15-vjeçar të dyshuar, i cili ka shtënë dy plumba në kokën e Uribes.