• e premte, 05 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 13 shtator/ 2025

Shkup - Qytetarët sot janë më të përgatitur teknologjikisht se kurrë më parë, që është bazë dhe detyrim për pjesëmarrje më të madhe dixhitale në sistemin shëndetësor, tha ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në panelin mbi dixhitalizimin dhe teknologjitë e reja në kujdesin shëndetësor, i cili mbahet në kuadër të Kongresit të 21-të të Mjekëve, në organizim të Shoqatës Mjekësore të Maqedonisë.

Dibër - Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi, e uroi homologun e tij shqiptar, Niko Peleshi, për zgjedhjen e tij. "Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, ju shpreh urimet e mia më të sinqerta për zgjedhjen e Niko Peleshit si kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Jam i bindur se gjatë mandatit të z. Peleshi, marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore dhe vëllazërore midis vendeve tona, të ndërtuara mbi respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, do të thellohen më tej", tha Gashi në një postim në Fejsbuk, i cili u raportua nga mediat.

Shkup - Të gjithë ata që dëshirojnë të kandidojnë në Zgjedhjet Lokale të vitit 2025, të caktuara për 19 tetor, do të mund të paraqesin kandidaturat e tyre për kryetar komune dhe listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit përmes propozuesve të tyre të autorizuar deri në mesnatë në hapësirat e Komisioneve Komunale Zgjedhore (KZK) dhe Komisionin Zgjedhor të Qytetit të Shkupit (KZQSH). Pas marrjes së listës së kandidatëve, KZK-ja përcakton nëse ajo është paraqitur brenda afatit të përcaktuar dhe është përpiluar në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor, si dhe nëse kandidatët për kryetar komune i plotësojnë kërkesat e përcaktuara në nenin 7, paragrafët 2, 3 dhe 4 të Kodit Zgjedhor, duke kontrolluar të dhënat në regjistrat dhe evidencat përkatëse të institucioneve kompetente. Institucionet që zotërojnë të dhënat mbi përmbushjen e kërkesave janë të detyruara t'ia paraqesin ato në formë elektronike komisionit brenda 24 orëve nga marrja e kërkesës pa asnjë tarifë.

Shkup - Pas analizave dhe hetimeve të gjata që kreu dhe gjetjeve të saj, VMRO-DPMNE ka përfunduar listat e këshilltarëve dhe kandidatëve për kryetarë komunash që do të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme, tha sot Gjorgjija Sajkoski, sekretar i përgjithshëm i partisë, para selisë së Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Siç tha ai, për kryetarë komunash kanë zgjedhur ata që kanë treguar rezultate të mira në katër vitet e fundit, por kanë edhe kandidatë të rinj që "janë figura të njohura në komunitetet nga vijnë".

Shkup - Vazhdojnë aktivitetet për mbushjen e pjesës së deponisë Drisla nga e cila del tym, i cili, sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angelov, është zvogëluar, por është ende i pranishëm. "Këtë mëngjes, mbushja e pjesës së deponisë së Drislës nga e cila po del tymi, e cila është afërsisht sa madhësia e një fushe futbolli, vazhdoi me një ritëm të përshpejtuar. Nuk mund të vërehet zjarr i hapur, tymi është zvogëluar pjesërisht, por është ende i pranishëm. Nga ajo që mund të vërej në vend në deponinë e Drislës, dy rrugët hyrëse prej dheu që u ndërtuan dje si një argjinaturë përmes sipërfaqes së liqenit të ujërave të zeza me thellësi rreth 1.5 metra, lehtësojnë ndjeshëm qasjen në zonën kritike", informoi Angelov në një deklaratë me shkrim.

Shkup - Nën ndikimin e masës ajrore të lagësht dhe të paqëndrueshme nesër pasdite, gjatë natës dhe të hënën paradite moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm lokal dhe bubullima. Sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë hidrometeorologjike, procese më intensive në formë të stuhisë me shi të rrëmbyeshëm (mbi 20 litra në një metër katror) dhe erë të përforcuar priten gjatë natës, veçanërisht në pjesët lindore të vendit.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla lokale deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare kryesisht nga juglindja. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 7 deri në 16 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 26 deri në 33 gradë. Në Shkup, moti do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga jugu. Temperatura minimale do të bie në 14 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 32 gradë.

Kiev - Princi britanik Hari vizitoi dje Ukrainën, ku mbërriti me një ekip nga fondacioni i tij "Invictus Games" për të shpjeguar në detaje planet e organizatës së tij bamirëse për të ndihmuar në rehabilitimin e ushtarëve të plagosur. Ky është udhëtimi i dytë i Hari-t në Ukrainë këtë vit, pasi në prill vizitoi një qendër për personelin ushtarak të plagosur në Lavov. Hari shërbeu në Armatën Britanike për dhjetë vjet përpara se të themelonte fondacionin "Invictus Games", i cili organizon një ngjarje sportive ndërkombëtare për personelin ushtarak të plagosur në veprim.

Kiev - Forcat ukrainase për mbrojtje kundërajrore neutralizuan 137 nga 164 dronë me të cilat Rusia mbrëmë e ka sulmuar Ukrainën, njoftuan mediat lokale. Forcat e aviacionit ukrainas kumtuan se sulmi ka filluar mbrëmë në orën 20:00, kur Rusia lëshoi një projektil balistik Iskander-M dhe 164 dronë.

Kajro - Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed Al-Shara, ka konfirmuar negociatat për të arritur një marrëveshje sigurie midis vendit të tij dhe Izraelit, i cili ka sulmuar vazhdimisht fqinjin e tij të shkatërruar nga lufta që nga rrëzimi i sundimtarit të hershëm sirian Bashar Al-Asad në dhjetor. Izraeli dhe Siria, të cilët zyrtarisht kanë qenë në luftë që nga viti 1948, arritën një pakt shkëputjeje në vitin 1974. Marrëveshja, e arritur fillimisht pas luftës së vitit 1973, krijoi një zonë tampon në Lartësinë e Golanit nën mbikëqyrjen e OKB-së për të ndarë forcat izraelite dhe siriane.

 Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp, njoftoi se administrata e tij mund të nisë një hetim për zhvatje kundër Xhorxh Sorosit ose familjes së tij, duke e akuzuar për financim të protestave, raportuan mediat lokale. Trampi për "Foks end frends" tha se protestuesit marrin pagë për punën e tyre nga Sorosi dhe njerëz të tjerë dhe se beson se ky është një rast që bie nën Ligjin për Organizata nën Ndikim të Zhvatësve dhe të Organizatave të Korruptuara. 

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp darkoi me kryeministrin e Katarit në Nju Jork, disa ditë pasi aleati i SHBA-së, Izraeli, sulmoi udhëheqësit e Hamasit në Doha. Izraeli u përpoq të vriste udhëheqësit politikë të Hamasit në një sulm në Katar të martën, gjë që rrezikoi të minonte përpjekjet e mbështetura nga SHBA për të arritur një armëpushim në Gaza dhe për t'i dhënë fund konfliktit gati dyvjeçar.

Otavë - Ministrat e financave të vendeve të G7 diskutuan futjen e mundshme të sanksioneve dhe masave tregtare, të tilla si tarifat, kundër vendeve që ata besojnë se po e "mundësojnë" luftën e Rusisë në Ukrainë, njoftoi Ministria kanadeze e Financave. Gjatë takimit në Otavë, ministrat ranë dakord të përshpejtojnë diskutimet mbi përdorimin e fondeve të ngrira ruse për të financuar mbrojtjen e Ukrainës dhe diskutuan "një gamë të gjerë masash të mundshme ekonomike për të rritur presionin ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksione shtesë dhe masa tregtare - për shembull, tarifa - mbi ato që mundësojnë përpjekjet ushtarake të Rusisë", thuhet në kumtesë.

Gaza - Armata izraelite ka hedhur fletushka me të cilat u bën thirrje banorëve në rajonin perëndimor të qytetit të Gazës, të evakuohen, ndërsa agjencia për mbrojtje civile e Gazës, e udhëhequr nga Hamasi, informon për sulmet e vazhdueshme ajrore. "Armata e Izraelit vepron me forcë shumë më intensive në rajonin tuaj dhe është e vendosur të shkatërrojë dhe mposhtë Hamasin, shkruan në fletushka.

 Islamabad - Të paktën 97 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 4.4 milionë janë prekur nga përmbytjet e fundit në provincën lindore Penxhab të Pakistanit, bëri të ditur  Autoriteti Provincial për Menaxhim me Fatkeqësitë (PDMA). Sipas të dhënave të PDMA-së, përmbytjet e shkaktuara nga niveli i lartë i ujit në lumenjtë Ravi, Satlexh dhe Çenab kanë dëmtuar mbi 4.500 fshatra në të gjithë provincën.

QËNDRONI TË LIDHUR