• e enjte, 04 dhjetor 2025

MF-ja dorëzoi kërkesë te 22 institucione dhe banka financiare ndërkombëtare për të shfaqur interes në financimin e linjës së shpejtë hekurudhore

MF-ja dorëzoi kërkesë te 22 institucione dhe banka financiare ndërkombëtare për të shfaqur interes në financimin e linjës së shpejtë hekurudhore

Shkup, 17 qershor 2025 (MIA) – Sot, Ministria e Financave dërgoi kërkesë për shprehje interesi te 22 institucione financiare ndërkombëtare dhe banka të huaja komerciale për financimin e projektit për ndërtimin e linjës së shpejtë hekurudhore përgjatë Korridorit 10.

"Bëhet fjalë për institucione financiare nga Evropa, SHBA-ja, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar, disa prej të cilave janë institucione me të cilat vendi ka bashkëpunuar paraprakisht në projekte të caktuara. Kërkesë më konkrete i është dorëzuar Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane Investuese, Fondit të Zhvillimit Ndërkombëtar të OPEC-ut, Agjencisë Franceze të Zhvillimit, Bankës Zhvillimore KfW, Bankës Zhvillimore të Italisë, Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Bankës Gjermane DZ, Morgan Stanley-it, Bankës UniCredit në Austri, Bankës City, JP Morgan-it, Bankës Deutche, Bankës Societe Generale, Bankës ERSTE, Bankës IMI, Bankës britanike Standard Chartered, Bankës së Amerikës, Bankës Japoneze MUFG, si dhe Bankës Amerikane Goldman Sachs. Vlera që kërkohet për realizimin e këtij projekti është 1,91 miliardë euro", kumtoi shërbimi për shtyp i Ministrisë së Financave. 

Nga MF sqarojnë se sipas kërkesës së dërguar, përgjigjja për të treguar interes nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat e huaja komerciale duhet të dorëzohet deri në fund të këtij muaji, me mundësinë për zgjatjen e afatit sipas kërkesës së bankave.

Ministria e Financave ua dërgon kërkesën e interesit institucioneve ndërkombëtare financiare bazuar në Konkluzionin e Qeverisë dhe në bazë të rregulloreve ligjore, përkatësisht Ligjit të Borxhit Publik. Së bashku me kërkesën, ua dërgon arsyetimin e projektit të përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Infrastruktura Hekurudhore e Maqedonisë, institucioneve dhe bankave financiare ndërkombëtare, i cili u shqyrtua edhe nga Qeveria.

Siç deklaroi më parë Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, bëhet fjalë për 1,91 miliardë euro që do të kërkohen si ofertë nga një listë më e gjerë bankash, përfshirë ato me të cilat kemi bashkëpunim të vazhdueshëm, siç janë Banka Botërore dhe BERZH.

Kryeministri Hristijan Mickoski pret që ndërtimi i hekurudhës së shpejtë të fillojë këtë vit.

"Pres që në këtë periudhë të dërgohen zyrtarisht letra te huadhënësit potencialë. Nëse gjithçka shkon sipas planit, këtë vit pres që të fillojë ndërtimi i kësaj hekurudhe, e cila do të thotë shumë në kuptimin historik dhe transportues, tha Mickoski sot nga Manastiri. ls/ 

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR