• e hënë, 23 dhjetor 2024

MF: Konsistenca në politikë, përpjekjet për konsolidim fiskal dhe rritja ekonomike konfirmohen nga “Standard & Poor's”, ruhet vlerësimi i kredisë

MF: Konsistenca në politikë, përpjekjet për konsolidim fiskal dhe rritja ekonomike konfirmohen nga “Standard & Poor's”,  ruhet vlerësimi i kredisë

Shkup, 30 janar 2024 (MIA)- Konfirmim i ri i konsistencës së politikave të Qeverisë për qëndrueshmëri fiskale dhe perspektiva për rritje ekonomike. Republika e Maqedonisë së Veriut  ka ruajtur vlerësimin e saj të kredisë, BB me perspektivë stabile nga Agjencia "Standard & Poor's” pavarësisht ndikimeve të pafavorshme të jashtme. Agjencia pret rritje të përshpejtuar ekonomike, nivel të moderuar të borxhit publik dhe konsolidim fiskal. Ndikim pozitiv pritet nga progresi në integrimin në BE.

Në raportin e fundit, “Standard & Poor's” pret që rritja e PBB-së të përshpejtohet në vitin 2024 në 2.9% (2% në vitin 2023) e nxitur nga konsumi më i fuqishëm personal, i mbështetur nga rritja e pagave reale, projektet e vazhdueshme të infrastrukturës, duke përfshirë korridoret 8 dhe 10d, si dhe rritja e eksporteve.

Sipas kësaj agjencie, potencialet për rritje në vend neutralizojnë ndikimet e pafavorshme të zhvillimeve te partnerët kryesorë tregtarë, kryesisht në Gjermani. Borxhi publik, që vërehet në raportin e mësipërm, do të mbetet në nivel të moderuar dhe do të stabilizohet në nivel prej rreth 53% të PBB-së gjatë periudhës 2024-2027. Kjo agjenci vlerëson se janë ndërmarrë aktivitete për menaxhim përkatës të pagesave të interesit dhe se ato janë më të ulëta në krahasim me shumë vende të tjera me rejting të ngjashëm kreditor.

Agjencia në fjalë, i thekson edhe përpjekjet për konsolidim fiskal. Me buxhetin e miratuar për vitin 2024, deficiti buxhetor, që projektohet në nivel prej 3.4%, tregon ulje në krahasim me deficitin e vitit 2023 prej 4.6% të PBB-së.

Agjencia pret që ky trend i konsolidimit buxhetor të vazhdojë me fokusin e Qeverisë në rritjen ekonomike dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore. Çelësi i konsolidimit fiskal, sipas “Standard & Poor's” është respektimi rigoroz i rregullave të Ligjit të ri të Buxheteve.

Anëtarësimin në BE e potencojnë si faktor kyç për zhvillimin afatgjatë strukturor dhe institucional, për përkrahjen e rritjes ekonomike dhe ballafaqimin me sfidat e emigracionit. Zbatimi i reformave strukturore është kryesor, ndërsa ndërmjet faktorëve të riskut vihet re ndikimi i jashtëm, cikli zgjedhor dhe kushtet e tregjeve financiare. Lidhur me inflacionin theksojnë ngadalësimin e dukshëm në dhjetor të vitit 2023 dhe presin stabilizimin e tij.

“Standard & Poor's” theksoi rëndësinë e konfirmimit të marrë nga FMN-ja për rishikimin e parë të programit PLL dhe disponueshmërinë e mjeteve nga ky program, si dhe për burimet e tjera financimi.

Politikat e vendit, krahas vlerësimit të konfirmuar kreditor nga kjo agjenci, që nga fillimi i vitit janë konfirmuar nga FMN-ja dhe Banka Botërore me Kornizën e Partneritetit të sapo nënshkruar.

Vlerësimi i kredisë së një vendi tregon shkallën e riskut të investimit në të dhe është një nga indikatorët kryesorë që investitorët potencialë marrin parasysh kur marrin vendimet e tyre.

Foto: Ministria e Financave

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR