• e enjte, 19 dhjetor 2024

Mexhiti: Zbarkojmë në Prishtinë që të forcojmë frymën e bashkëpunimit ndërshtetëror

Mexhiti: Zbarkojmë në Prishtinë që të forcojmë frymën e bashkëpunimit ndërshtetëror

Shkup, 17 nëntor 2024 (MIA)- Qeveria e Maqedonisë së Veriut nesër do të udhëtojë në Kosovë për mbledhjen e parë të përbashkët ndërqeveritare që nga krijimi i Qeverisë së re. Ky takim, përpos pjesës protokollare dhe agjendës së harmonizuar mes dy qeverive rreth çështjeve për të cilat do të diskutohet dhe marrëveshjeve që do të nënshkruhen, "paraqet edhe vazhdimësinë e përkushtimit tonë për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për ta trajtuar Republikën e Kosovës si partner të barabartë në të gjitha nismat dhe aktivitetet rajonale", ka shkruar në rrjetet sociale zëvendëskryeministri i parë, njëherësh edhe lider i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.

Siç bëjnë të ditur nga partia e tij, Mexhiti shton se Qeveria e Maqedonisë së Veriut “zbarkon” në Prishtinë me një qasje proaktive dhe interes të sinqertë për të trajtuar të gjitha çështjet me interes për dy vendet tona.

“Pavarësisht problemeve të cilat Qeveria e re i ka trashëguar nga qeveritë e kaluara, pavarësisht tendencave të orkestruara për ta fajësuar Qeverinë e re për secilin dështim të lënë në trashëgimi nga e kaluara, fryma e bashkëpunimit ndërshtetëror do të forcohet dhe besimi i ndërsjellë mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të rritet në vazhdimësi dhe do të ndërtohet, sepse ky është obligimi jonë i përbashkët përpara qytetarëve tanë”, ka thënë Mexhiti.

Ai mes tjerash ka thënë se vendi do të angazhohet që Ballkani Perëndimor të transformohet në një rajon të zhvilluar dhe të integruar me institucione e shërbime moderne.

“Partnerët tanë politikë, miqtë dhe të gjithë aktorët tjerë shoqërorë në Republikën e Kosovës dua t’i informoj se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e vendosur dhe e palëkundur që të punojë që Ballkani Perëndimor të transformohet në një rajon të zhvilluar dhe të integruar me institucione e shërbime moderne dhe me garantim të lirisë së shprehjes, lirisë së lëvizjes dhe lirisë së organizimit për secilin individ apo grupacion, pavarësisht përkatësisë së tyre", qëndron në postimin e Mexhitit.

Foto: Izet Mexhiti në Fejsbuk

 

QËNDRONI TË LIDHUR