Mexhiti: VLEN do të jetë unik në zgjedhjet lokale, me lista dhe kandidatë të përbashkët
- Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka konfirmuar se koalicioni VLEN do të paraqitet i bashkuar në zgjedhjet lokale të ardhshme. Në intervistën e fundvitit për emisionin “Programi 200” në Alsat-M, Mexhiti theksoi se përkundër disa mospajtimeve, grupimi është unik dhe do të ketë lista dhe kandidat të përbashkët.
- Post By Fami Bajrami
- 15:11, 31 dhjetor, 2024
Shkup, 31 dhjetor 2024
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka konfirmuar se koalicioni VLEN do të paraqitet i bashkuar në zgjedhjet lokale të ardhshme. Në intervistën e fundvitit për emisionin “Programi 200” në Alsat-M, Mexhiti theksoi se përkundër disa mospajtimeve, grupimi është unik dhe do të ketë lista dhe kandidat të përbashkët.
“Në zgjedhje lokale, VLEN do të jetë unik, do të dalin me lista të përbashkëta, me kandidat të përbashkët,” deklaroi Mexhiti, duke e vënë theksin te uniteti brenda grupimit.
Ai shtoi se përplasjet brenda VLEN-it janë në kuadër të normales dhe nuk krahasohen me tensionet që kanë ndodhur më parë brenda Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
“Duke u nis nga përvoja, mund ta them se përplasjet që kanë qenë brenda BDI-së kanë qenë shumë të ashpra, shumë të thelluara, më të rënda se sa fërkimet që janë brenda VLEN-it, të cilat janë në kuadër të normales,” u shpreh Mexhiti.
Mexhiti për Artan Grubin: “Me vetë faktin kur ik, ai e dëshmon fajësinë”
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në një intervistë për emisionin “Programi 200” të Alsat-M, ka folur rreth akuzave dhe debateve që përfshijnë Artan Grubin. I pyetur drejtpërdrejt për fajësinë e Grubit, Mexhiti theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe se drejtësia është ajo që duhet të japë fjalën përfundimtare.
“Unë mendoj se detyrë e politikës ka qenë të dërgojë porosi se askush nuk është mbi ligjin dhe mendoj se këtu përfundon pjesa e politikës. Pjesa tjetër është e organeve të rendit dhe ne do ia lëmë drejtësisë për ta thënë fjalën e fundit sepse nuk duhet t’i paragjykojmë gjërat,” tha Mexhiti, duke iu referuar rastit të Grubit.
Në mënyrë të prerë, Mexhiti shtoi: “Ka disa rregulla në drejtësi, nuk mund ta shpallim dikë fajtor para se ta thotë fjalën e fundit drejtësia. Por, me vetë faktin kur ik, atëherë e dëshmon fajësinë.”
Mexhiti: UÇK-ja, pjesa më e lavdishme e historisë së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti i pyetur mbi degradimin eventual të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nga ana e BDI-së, deklaroi se askush nuk mund ta ketë monopolin e UÇK-së pasi që ata vazhdojnë të mbeten pjesa më e lavdishme e historisë së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Ushtria Çlirimtare Kombëtare është pjesa më e lavdishme e historisë së shqiptarëve të Maqedonisë. Ata janë vlerë kombëtare dhe këtu nuk e ka askush monopolin mbi këtë vlerë pa marrë parasysh këtu kush ka pas hise më shumë apo më pak”, deklaroi Mexhiti në intervistën e fundvitit për emisionin “Programi 200” të Alsat-M.
Mexhiti: Ligji i gjuhëve nuk do të preket, është kategori kushtetuese
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka deklaruar se Ligji i gjuhëve do të mbetet i paprekur, pasi përbën një kategori kushtetuese. Gjatë një interviste për emisionin “Programi 200” të Alsat-M, Mexhiti theksoi se ekziston një marrëveshje brenda koalicionit qeverisës për ruajtjen e këtij ligji në formën aktuale.
“Nëse flasim kështu siç është ky ligj, ne kemi një marrëveshje brenda koalicionit se nuk do të preket Ligji i gjuhëve kështu siç është, për shkak se është edhe kategori kushtetuese, pra mbi ligjin,” tha Mexhiti.
Kjo deklaratë vjen si përgjigje ndaj diskutimeve të mundshme për ndryshime ligjore dhe konfirmon angazhimin e qeverisë për respektimin e të drejtave gjuhësore, një çështje e ndjeshme dhe jetike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
__________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.