Mexhiti: VLEN asnjëherë nuk ka qenë më i bashkuar, tek Fronti Evropian ka vlime
- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti sot në deklaratën për mediat tha se VLEN-i nuk ka qenë kurrë më i unifikuar.
- Post By Fami Bajrami
- 15:41, 18 gusht, 2025
Shkup, 18 gusht 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti sot në deklaratën për mediat tha se VLEN-i nuk ka qenë kurrë më i unifikuar.
"VLEN edhe dy vjet më parë edhe para një viti dhe tani vepron si VLEN. Gjithnjë e më pak përmenden aktorët ose subjektet brenda VLEN-it. VLEN asnjëherë nuk ka qenë më unik. Përveç kësaj, ne kemi dalë edhe jashtë VLEN-it ku do të vlerësojmë se ka kandidatë për kryetarë bashkie, për këshilltarë, për bartës listash dhe konsiderojmë se janë më të mirët për atë komunë, siç është rasti me Haraçinën me Dautin e ri i cili deri tani nuk ka pasur ngjyrë partiake, por mbështetet fuqishëm nga VLEN, sepse mendojmë se është më i miri për Haraçinën, siç është edhe Mendi Qyra për Strugën", ka thënë Mexhiti në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pasi mbikëqyrjes së punimeve mbi përfundimin e pjesës së fundit të kanalit në Haraçinë.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Mexhiti theksoi se pikërisht brenda Frontit Evropian opozitar ka vlime dhe se çdo ditë ndonjë nga partnerët largohet nga koalicioni i tyre.
"Në raport me të tjerët, tek ata ka vlime sepse i ndryshojnë shpesh emrat e tyre, njëherë Fronti Evropian, pastaj Fronti Kombëtar dhe sot dëgjoj diçka si AKI (Aleanca Kombëtare për Integrim). Mendoj se njerëzit më nuk do t'i njohin. Pastaj atjе janë bashkë disa që në të kaluarën janë përplasur ashpër dhe me pasoja për qytetarët. Nuk është e lehtë të bashkohen këto dy elektorate. Është gjithashtu evidente se çdo ditë dikush largohet prej andej, siç doli Partia Demokratike Turke e cila ishte një faktor serioz në atë koalicion, u largua edhe Thaçi. Të shohim se si do të shkojnë gjërat këto ditë me të tjerët", tha ai.
Lidhur me thirrjet nga partitë opozitare për t'u larguar nga Qeveria, Mexhiti theksoi se ata nuk kanë të drejtë morale të flasin për dorëheqje dhe politika etnike, sepse siç thotë, në të kaluarën kur kishte viktima, përplasje, disa “deri në ditët e sotme ende janë nëpër burgje shkaku i atyre politikave dhe ata as atëherë dhe as tani nuk morën përgjegjësi, as nuk dhanë dorëheqje”.
Foto: printskrin nga video