• e shtunë, 23 nëntor 2024

Mexhiti: Sistemi KATO është sistem i mirë, por nuk do të thotë se ai e njeh ilaçin, po shqyrtojmë nëse do ta kthejmë në funksion ose të furnizohet një tjetër

Mexhiti: Sistemi KATO është sistem i mirë, por nuk do të thotë se ai e njeh ilaçin,  po shqyrtojmë nëse do ta kthejmë në funksion ose të furnizohet një tjetër

Shkup, 14 shtator 2023 (MIA) - Ekspertët na shpjeguan se është një sistem i mirë, se në mililitra përcjell se si konsumohet ilaçi i caktuar në doza, por nuk do të thotë se sistemi njeh ilaçe, mund të hidhet edhe ujë në atë sistem. Kështu, ndër të tjera, tha sot ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në pyetjen e një gazetari për sistemin KATO për kontrollin e terapive të pacientëve në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi.

Ai i është përgjigjur pyetjes nëse do të rikthehej në përdorim sistemi KATO, i cili u prezantua për të kontrolluar përdorimin e citostatikëve.

Ministri bëri me dije se para se të shpërthente në publik skandali për atë që ka ndodhur në të kaluarën në Klinikën e Onkologjisë, që prej ardhjes së tij në detyrë, është interesuar për gjendjen e klinikës dhe funksionimin e saj.

"Para dy muajsh, ndoshta më shumë, i kam kërkuar me iniciativën time përfaqësuesit e sistemit KATO, ende pa u njohur skandali. Po interesohesha pse sistemi nuk është në funksion. Ata arsyetuan se është një sistem i mirë, se në mililitra përcjell se si konsumohet ilaçi i caktuar në doza, në mënyrë që ilaçi të mos humbasë. Por kjo nuk do të thotë që sistemi njeh një ilaç. Në atë sistem mund të vendoset edhe ujë", tha ministri.

Ai shtoi se tash muajt e fundit klinika është duke punuar me ndërgjegje dhe në mënyrë transparente. U mendua nëse ky sistem duhet të vihet në funksion, apo të futet një tjetër, për të organizuar të gjithë punën. Ministri theksoi se për çdo abuzim të mundshëm do të ketë përgjegjësi. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që në gjithë këtë çështje të mos ketë spekulime, sepse rrezikohet jeta e pacientëve, disa prej të cilëve për shkak të mosbesimit kërkojnë alternativa apo siç thotë populli "recetat e gjysheve". Ai theksoi se klinika ka ekspertë të lartë, se e gjithë fusha e mjekësisë nuk duhet të futet në të njëjtin kosh dhe se drejtësia duhet t'i lihet organeve kompetente.

Për shkak të procesit në Prokurori, për të mos dëmtuar atë proces, ai nënvizoi se nuk mund të ndajë më shumë informacion me publikun. Ministri tha se po monitorojnë me vigjilencë të gjitha gjendjet shëndetësore dhe i zgjidhin çështjet, duke iu referuar masave të marra, për kushte më të mira shëndetësore.

Sa i përket borxheve, ai tha se borxhi i klinikës tashmë është përgjysmuar. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR