• e premte, 05 dhjetor 2025

Mexhiti porosi Taravarit: Ti nuk e solle ndryshimin, VLEN-i vazhdon rrugën e ndryshimit

Mexhiti porosi Taravarit: Ti nuk e solle ndryshimin, VLEN-i vazhdon rrugën e ndryshimit

Shkup, 13 maj 2025 (MIA) - Lideri i Lëvizjes Demokratike dhe një nga liderët e koalicionit "VLEN" Izet Mexhiti pas daljes së Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit nga koalicioni qeveritar shkroi se VLEN-i vazhdon në rrugën e ndryshimit. 

Në një shkrim në "Fejsbuk", Mexhiti shkroi se Taravari nuk e ka braktisur Qeverinë, por e ka tradhëtuar. 

"Ti nuk e solle ndryshimin. Ti nuk po kthehesh tek populli. Ti po kthehesh tek lista e zezë. Ti nuk po e braktis Qeverinë. Ti e tradhëtove Qeverinë", shkroi Mexhiti. 

Mexhiti vlerëson se "Taravari është dëshpërimi i çdo shqiptari që ka votuar për ndryshimin".

"VLEN vazhdon rrugën e ndryshimit. I ftojmë dhe mirëpresim me bujari të gjithë aktivistët, simpatizantët dhe votuesit që ndjehen të mashtruar, të tradhëtuar dhe të lënë në mes të rrugës pa orientim", shkruan në publikim.

Lideri i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari mbrëmë pas mbledhjes së mbajtur në Tetovë njoftoi se po e braktisin koalicionin qeveritar dhe shkojnë në opozitë. 

"Konstatuam se vitin e kaluar sollëm me krenari ndryshime në bllokun shqiptar pas 20 vitesh. Megjithatë, për fat të keq, ne nuk i realizuam ndryshimet që pamë dhe qytetarët na kritikojnë çdo ditë. Kjo është arsyeja pse vendosëm të kthehemi te qytetarët. T'u kërkojmë besimin në tetor për zgjedhjet lokale. Kur u përpoqëm për rreth gjashtë javë me "VLEN" dhe nëse kemi listat tona të këshilltarëve për të gjetur një mënyrë për mbështetje të ndërsjellë për kandidatët për kryetarë komune, megjithatë, nuk ia dolëm në këtë dhe sot konkludojmë se nëse ka mosbesim tek ata që janë anëtarë të qeverisë, nëse ka komplote dhe të gjitha llojet e dyshimeve, nuk kemi çfarë të kërkojmë atje", tha Taravari. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR