• e diel, 22 dhjetor 2024

Mexhiti: Po marrim 22 ambulanca të reja, blerja më e madhe në histori për kujdesin emergjent

Mexhiti: Po marrim 22 ambulanca të reja, blerja më e madhe në histori për kujdesin emergjent

Shkup, 19 dhjetor 2023 (MIA)- Ministria përgatiti dhe dorëzoi në Qeveri informacionin për dhënien e pëlqimit për marrjen e detyrimeve, pagesa e të cilave kërkon përdorimin e mjeteve buxhetore në vitet e ardhshme të Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e 22 autoambulancave. 

Këto automjete, kumtuan nga Ministria e Shëndetësisë, do të kenë pajisje të përmirësuara mjekësore për nevojat e institucioneve në shtet, në bazë të të cilave Qeveria ka dhënë pëlqimin për blerjen e 22 autoambulancave me pajisje të përmirësuara mjekësore, sipas Ekstraktit nga Projektprocesverbali i seancës së 180-të të Qeverisë së mbajtur më datë 22 gusht 2023.

"Ministria e Shëndetësisë informon se ka konstatuar nevojën për blerjen e autoambulancave të reja për nevojat e institucioneve publike shëndetësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut për faktin se shumica e automjeteve që janë në dispozicion të institucioneve janë të vjetruara, të rrënuara, me kilometrazh më të madh se maksimumi teknik dhe të amortizuara", thuhet ndër të tjera në kumtesën.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, thotë se autoambulancat e reja janë prokurimi më i madh në histori për kujdesin emergjent.

“Po marrim 22 autoambulanca të reja, blerja më e madhe në histori për shërbimet e emergjencës. Me blerjen e automjeteve dhe pajisjeve bashkëkohore me të cilat do të pajisen autoambulancat, do të mundësohet që të ndërmerren ndërhyrje profesionale mjekësore për stabilizimin e gjendjes së pacientit dhe fillimin e trajtimit fillestar në varësi të llojit të lëndimit dhe sëmundjes për të cilën tregohet thirrja. Ambulancat e reja do të pajisen me pajisje të përmirësuara mjekësore”, thekson Mexhiti", nënvizohet në kumtesë.

Procedura për prokurimin publik të 22 autoambulancave me pajisje të përmirësuara mjekësore është publikuar në Sistemin Elektronik për Prokurim Publik më 05.12.2023, me numër shpalljeje 21959/2023. Për momentin procedura është në fazën e dorëzimit të ofertave tek operatorët ekonomikë dhe afati i dorëzimit skadon më 05.01.2024. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR