• e martë, 17 dhjetor 2024

Mexhiti: Përderisa qytetarët duan të merren me shkencë dhe kërkime, nuk duhet të frikësohemi

Mexhiti: Përderisa qytetarët duan të merren me shkencë dhe kërkime, nuk duhet të frikësohemi

Shkup, 28 korrik 2024 (MIA) - Përderisa qytetarët në vend, pavarësisht përkatësisë etnike, dëshirojnë të merren me shkencë dhe hulumtim, nuk duhet të frikësohemi. Shkojmë drejt progresit, shkojmë drejt evolucionit, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti në Parkun pyjor të Gazi Babës, ku filloi fushata e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor “Vepro tani, për natyrën!"

I pyetur për faktin se dje nga koalicioni “VLEN” kanë paralajmëruar mbështetje nga komunat për formimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut, Mexhiti vlerëson se kjo është për t'u përshëndetur.

"Edhe shqiptarët deri dje kishin problem edhe me arsimin fillor, të mesëm dhe universitet. Atë që tani e kërkojnë të përfshihen edhe në kërkimet shkencore ashtu edhe atë akademike, është për t'u përshëndetur dhe mendoj se do të gjejë mbështetje nga komuniteti më i madh, dmth. nga maqedonasit", tha Mexhiti.

Sa i përket pjesës financiare të kësaj Akademie, Mexhiti tha se në fazën e parë do të ketë mbështetje nga komunat, më tutje do të diskutohet, negociohet dhe se do të gjendet një zgjidhje.

"Nga gjithë kjo do të përfitojë edhe shteti. Sa më shumë shkencëtarë dhe akademikë të kemi, aq më shumë perspektivë do të ketë Maqedonia e Veriut", tha Mexhiti.

I pyetur se pse kjo akademi të mos të jetë pjesë e ASHAM-it, Mexhiti deklaroi se ndoshta edhe kjo do të jetë një zgjidhje.

"Por edhe ASHAM duhet t'i hapë dyert. Do të pyes pse në ASHAM nuk ka të punësuar asnjë shqiptar. Vallë komuniteti i dytë nuk ka njerëz për në ASHAM, nuk duan të merren. Kjo është sfidë, e hapim këtë çështje dhe së bashku duhet të gjejmë një zgjidhje. Përderisa qytetarët e këtij vendi, pavarësisht nga përkatësia etnike, kërkojnë arsimim, kërkojnë të përfshihen në pjesën akademike, në kërkimet shkencore, ne duhet të jemi të lumtur dhe se është një kontribut dhe investim për të ardhmen e këtij vendi", tha Mexhiti.

Pas paralajmërimeve të “VLENI”-t, sot kanë reaguar përmes kumtesave disa nga partitë politike.

Nga partia në pushtet VMRO-DPMNE thonë se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) është institucioni i vetëm që bashkon mendimin shkencor maqedonas dhe në përbërjen e saj ka shkencëtarë nga bashkësi të ndryshme etnike.

"Si kriter për anëtarësim në Akademinë e Shkencave nuk mund të jetë përkatësia etnike apo politike, por arritjet shkencore dhe kontributi në shoqëri. Shkenca nuk është diçka që duhet dhe mund të politizohet dhe etnizohet", thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.

Nga BDI thonë se kjo është një kuazi "akademi” komunale që turpëron intelektualët dhe kombin.

"Në përpjekje për të shfaqur ndonjë rezultat dhe për ta ndaluar rënien e lirë që po poshtëron kombin, Vlen paska “themeluar” “AKADEMINË” e shkencave dhe arteve e cila do të financohet, imagjinoni", nga komunat, rast i vetëm në botë”, një akademi mahallash. 

Akademiku Vllado Kambovski në deklaratën për televizionin Kanal 5 thotë se ideja e dy akademive kombëtare është e pamundur, diçka e panjohur në asnjë shtet

"Në çdo vend ekziston vetëm një Akademi kombëtare e shkencave dhe arteve, unë nuk njoh një vend në të cilin ekzistojnë dy akademi nacionale të shkencave dhe arteve. Ka akademi mjekësie, akademi arti e të tjera që nuk kanë karakter të akademive kombëtare, ndaj nuk e di se cila është ideja në përgjithësi. Nëse është ideja të krijohen dy akademi nacionale të shkencave dhe arteve, kjo është një ide e pamundur", deklaroi Kambovski.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR