• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Mexhiti për MIA-n: Nuk jam shkarkuar nga kryetari i degës së BDI-së për Çairin

Mexhiti për MIA-n: Nuk jam shkarkuar nga kryetari i degës së BDI-së për Çairin

Shkup, 6 mars 2023 (MIA) - Deputeti dhe nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti i cili është një nga deputetët më të shquar të të ashtuquajturit “Grupi i zjarrit” në parti, në deklaratë për MIA-n, shprehet se nuk janë të sakta informacionet se ai është shkarkuar nga detyra e kryetarit të degës së Bashkimit Demokratik për Integrim për Komunën e Çairit.

"Unë nuk jam shkarkuar. Jam zgjedhur në procedurë ligjore dhe me fushatë të rregullt dhe kam mandat si kryetar i degës", deklaroi Mexhiti.

Duke komentuar informacionet se në vend të tij si “koordinator i BDI-së për Çairin” është emëruar ministri aktual i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, Mexhiti shprehet se vendimi i tillë është qesharak dhe jolegjitim, sepse sipas Statutit të partisë nuk ka post “koordinator për proceset politike” dhe për diçka të tillë nuk është debatuar në asnjë organ partiak.

E gjithë kjo është reflektim apo veprim në panik, pas përkrahjes së madhe nga votuesit dhe qytetarët në tubimet tona, kudo ku kemi qenë", shton Mexhiti për MIA-n.

Sipas tij, për të ashtuquajturin “Grup i zjarrit” është më e rëndësishmi se ata janë në të njëjtën linjë me votuesit dhe strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim, gjë që u jep atyre motivimin për të besuar se kanë të drejtë në raport me kërkesat për të cilat angazhohen.

“Është më e rëndësishmja të kemi mbështetje të madhe nga votuesit dhe nga qytetarët, meqë nga ata marrim forcë dhe sërish do të duhet të përballemi me ta në zgjedhje të rregullta apo të jashtëzakonshme”, theksoi Mexhiti, duke shtuar se pavarësisht këtyre zhvillimeve të fundit, “Grupi i zjarrit” mbetet pjesë e BDI-së.

Sipas një pjese të mediave, me sugjerim të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, ministri Osmani është emëruar koordinator i degës së Çairit të kësaj partie, kryetar i së cilës është Mexhiti, me qëllim që të “koordinojë proceset politike në Çair në këtë fazë”.

Një grup anëtarësh të shquar të BDI-së, të cilët u quajtën "Grupi i zjarrit", në fund të shtatorit publikuan letër të hapur në të cilën akuzonin se organet statutore të partisë nuk ekzistonin dhe nuk ishin formuar në parti për gati dy vjet dhe se vendimmarrja politike është bërë individuale. Në letrën e nënshkruar nga rreth 20 anëtarë të BDI-së, mes tyre Izet Mexhiti, Musa Xhaferi, Visar Ganiu, Nevzat Bejta, Blerim Bexheti, Merita Koxhaxhiku, bëhet thirrje për debat brenda partisë për tejkalimin e situatës dhe apel kreut të partisë. Ahmeti” që të shfrytëzojë autoritetin e tij politik dhe statutor në mënyrë që të arrihet zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak”.

"Në BDI për gati dy vjet nuk ekzistojnë dhe nuk janë themeluar organet statutore partiake . Si pasojë e kësaj, vendimmarrja politike u bë pronë individuale. Nuk ka debat dhe konsultim me bazat partiake. Zgjedhjet kadrovike janë kthyer në privilegj të individit Artan Grubi", bëhet e ditur mes tjerash në letër. Nënshkruesit bënë të ditur se “sjellja arrogante e pushtetit ekzekutiv” në krye me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministër i sistemit politik dhe marrëdhënie mes bashkësive Artan Grubi, shkaktoi “pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe të votuesve”.

Pas kësaj, në fillim të tetorit është mbajtur takimi i “të zjarrtëve” me kryesinë e BDI-së, në të cilin është rënë dakord që më 15 tetor të zgjidhet kryesia e re e partisë. Në këtë tubim të mbajtur në Tetovë, nënkryetarë të partisë janë zgjedhur Izet Mexhiti, Arbër Ademi, Bajram Rexhepi dhe Arbana Pasholi. Sekretar i përgjithshëm i BDI-së është zgjedhur Faton Ahmeti, sekretar organizativ Blerim Bejeti dhe sekretare për mundësi të barabarta Saranda Imeri. Anëtarë të Këshillit Qendror u zgjodhën Ali Ahmeti, Ramiz Merko, Jeton Shaqiri, Fatmir Dehari, Kreshnik Bekteshi, Talat Xhaferi, Nevzat Bejta, Valdet Xhaferi, Teuta Arifi, Xhevat Ademi, Artan Grubi, Bujar Osmani, Visar Ganiu, Nazim Bushi, Ejup Alimi, Ariane Daci, Besnik Emshiu, Mirsad Ibrahimi, Ardita Dani, Bilent Sali, Resi Abdurrahmani, Shergil Beqiri, Shaban Memeti, Artin Spahiu dhe Emir Sulejmani. Mirëpo, përkundër përfshirjes së pjesëtarëve të të ashtuquajturit "Grup i zjarrit" në kryesinë më të lartë të BDI-së, anëtarët e tij vazhduan aktivitetet në terren, duke mbajtur takime me anëtarët partiakë dhe votuesit anembanë vendit, ku i prezantuan angazhimet e tyre për ndryshime në partinë.

 Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR