Mexhiti - O'Flaerti: BE-ja mbetet donatori kryesor në sektorin e mjedisit jetësor në Maqedoninë e Veriut
- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot ka zhvilluar një takim pune me Majkëll O'Flaerti, Komisioner për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, i cili ndodhet për një vizitë disaditore në Maqedoninë e Veriut, gjatë të cilës, siç informojnë nga kabineti i tij, ka shprehur vendosmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të intensifikuar përpjekjet drejt harmonizimit të plotë të legjislacionit dhe sistemeve shtetërore me të drejtën dhe politikat e Bashkimit Evropian në fushën e mjedisit dhe klimës.

Shkup, 24 prill 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot ka zhvilluar një takim pune me Majkëll O'Flaerti, Komisioner për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, i cili ndodhet për një vizitë disaditore në Maqedoninë e Veriut, gjatë të cilës, siç informojnë nga kabineti i tij, ka shprehur vendosmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të intensifikuar përpjekjet drejt harmonizimit të plotë të legjislacionit dhe sistemeve shtetërore me të drejtën dhe politikat e Bashkimit Evropian në fushën e mjedisit dhe klimës.
"Këto përpjekje reflektohen qartë në strategjitë dhe politikat sektoriale që përfshijnë masa të forta legjislative, forcimin e kapaciteteve kombëtare për zbatimin e acquis-it të BE-së, si dhe investime të konsiderueshme në infrastrukturë dhe teknologji të reja’ tha në takim Mexhiti, duke shtuar se në procesin e harmonizimit me legjislacionin evropian, Maqedonia e Veriut mund të kërkojë periudha tranzicioni, veçanërisht për Kapitullin 27, një nga më sfiduesit dhe më të kushtueshmit për vendet që janë në negociata me BE-në", theksohet në kumtesën e MJPH-së.
Ky kapitull është pjesë e Klasterit 4, që përfshin fusha si infrastruktura rrugore, dixhitalizimi, energjia e ripërtëritshme dhe mbrojtja e burimeve natyrore.
Në këtë kontekst, Mexhiti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, që mbetet donatori kryesor në sektorin e mjedisit në Maqedoninë e Veriut, ku përfshihen investime në burime të ripërtëritshme energjie, si parqet diellore dhe me erë, tranzicionin nga qymyri, projektet për lidhjen e sistemit të gazit me Kosovën dhe Serbinë, si dhe projekte për menaxhimin e mbetjeve dhe ujërave të ndotura.
Ndër projektet kryesore të mbështetura nga BE janë mbyllja e deponive të parregullta, ndërtimi i sistemeve rajonale për menaxhimin e mbetjeve në pesë rajone, si dhe ndërtimi i stacionit për pastrimin e ujërave të ndotura në Shkup.
Për Republikën e Maqedonisë së Veriut sfidat më të mëdha për Kapitullin 27 mbeten në fushën e menaxhimit të ujërave dhe mbetjeve. Plani aksional për zbatimin e Direktivës për ujërat e ndotura dhe asaj për ujin e pijshëm parashikon një kosto totale prej rreth 1.2 miliardë euro dhe një afat zbatimi deri në vitin 2041.
Me këto mjete, theksojnë nga MMJPH-ja, planifikohet ndërtimi i 87 stacioneve për pastrimin e ujërave të ndotura, nga të cilat 16 do të jenë me trajtim terciar të avancuar, ndërsa për sistemin e menaxhimit të mbetjeve nevojiten rreth 300 milionë euro. ls/
Foto: MMJPH