Mexhiti nga tubimi qendror në Çair: Nuk jam në garë me Bujar Osmanin, por me Ali Ahmetin e Zajazit
- Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti sonte në tubimin qendror në Çair ka pasur një fjalim të fuqishëm duke falenderuar gjithë aktivistët dhe qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë fushatës, thuhet në kumtesln e VLEN-it, të cilën MIA e publikon në formë integrale.
- Post By Arta Bunjaku
- 21:33, 16 tetor, 2025
Shkup, 16 tetor 2025 (MIA) - Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti sonte në tubimin qendror në Çair ka pasur një fjalim të fuqishëm duke falenderuar gjithë aktivistët dhe qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë fushatës.
'Sonte jam para jush jo për të mbajtur një fjalim politik, as për të bërë oponencë e sulme ndaj kundërshtarëve tanë. Madje, sonte nuk jam këtu as për të folur për projektet tona në Çair, sepse në cilindo skaj të Çairit që të ecni, flet puna jonë, flasin makineritë që punojnë në Çairin tonë. Prandaj, gjithçka që mund të them unë se çfarë jemi duke bërë për Çairin tonë do të jetë sigurisht më pak në krahasim me atë çfarë po ndodh si ndryshim real sot në Çair", tha Mexhiti.
Nuk do të flas as për dhjetëra miliona euro investimet që i kemi sjellë në Çair, as për shkollat e çerdhet e reja, as për sheshin e ri në Çarshi e as për kampusin e ri universitar, tha ai.
"Unë jam sonte këtu para jush që vetëm t’ju them aleminderit! Ju faleminderit nga zemra për gjithë dashurinë që më keni dhënë në këtë fushatë. Ju faleminderit nga zemra për gjithë besimin që ma keni falë në këtë fushatë. Ju faleminderit nga zemra për buzëqeshjen që e keni shprehur në këtë fushatë. Më shumë se fitorja që po vjen më mjafton dashuria juaj, besimi juaj dhe buzëqeshja juaj", shtoi Mexhiti.
Në përmbyllje të kësaj fushate në Çair, tha ai, jam këtu që t’u them se kjo betejë i ka kaluar dimensionet e një gare të rëndomtë për një komunë të Shkupit, siç është Çairi ynë.
"Kundërshtarët tanë politikë deshën të na sfidojnë në Çair, të na mundin në Çair dhe kërkuan mejdan politik në Çair, duke menduar se ne do të ikim. Ndonëse kishim plot djem e vajza që do ta bënin këtë betejë me sukses, ashtu si gjithmonë, e pranova këtë sfidë dhe kërkova nga shokët
e VLEN-it mirëkuptim që unë të garoj vetë. Desha që nderin e Çairit tonë ta marr përsipër vetë dhe t’u japim leksion të gjithëve se Çairi nuk është trampolinë për të shpëtuark arrierat politike të politikanëve të konsumuar të Zajazit. Çairi nuk është trampolinë as për t’i kthyer në pushtet ata që sot vajtojnë në opozitë dhe që mendonin se, duke fituar në Çair, do të kthehen në qeveri", u shpreh ai.
Më 19 tetor disa nga ata do t’i dërgojmë në pension politik, ndërsa disa edhe në histori. Prandaj, shumë të dashur çairas të mi, fitorja jonë në Çair ka të bëjë me nderin e Çairit. Sepse unë nuk jam në garë me Bujar Osmanin, por me Ali Ahmetin e Zajazit, tha ai.
Gjëja e dytë që dua t’ua them është se u ktheva të garoj në Çair, që ëndrrën e atyre që deshën ta bëjnë Çairin geto të pazhvilluar ta kthej në një Çair të ëndërruar nga të gjithë ne. Gjatë këtyre 15 muajve qeverisje qendrore, qeveria VLEN ka orientuar në Çair dhjetëra projekte dhe rreth 100 milionë euro investime, që kështu Çairin, nga periferi të qytetit, ta kthejmë në epiqendër të tij.
"E kur jam këtu, do të më lejoni t’ju them se ndonëse unë i prij kësaj gare, kjo fitore më së paku më përket mua. Prandaj unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që, me punën e tyre, në këto tre javë fushatë e në këta tre muaj angazhim të vazhdueshëm kanë dhënë aq shumë nga vetja e tyre për këtë fitore", tha ai.
Ai vazhdoi duke theksuar: Nuk do ta harroj kurrë emocionin e përlotur të një plaku në Sahatkullë, i cili duke ma shtrënguar dorën, më tha se “falë teje e kam shpëtuar familjen duke më dhënë leje për shtëpinë”. Natyrisht, secili në këso raste do të ndjehej mirë dhe unë nuk mund ta mohoj këtë, por më shumë se kaq, përgjigja ime për të ishte se: “Ne e kemi bërë vetëm atë që e kemi detyrim ndaj qytetarëve, asgjë më shumë. Prandaj nuk ka nevojë as për falënderim.” Sepse, besimi juaj është amanet për ne. Shembuj të këtillë të mirënjohjeve kam gjetur gjithkund nëpër Çairin tonë. Në pamundësi për t’i përmendur të gjitha konaqet, por duke qenë pafundësisht falënderues që ju i hapët zemrat dhe dyert e shtëpive për ne, që na mbushi jo vetëm me emocion e frymëzim, por edhe me besim se vërtet ia vlen ta bëjmë këtë betejë.
E kam patjetër ta theksoj se jam ndjerë fort mirë edhe në mesin e arsimtarëve, sportistëve, në mesin e artistëve, tregtarëve të
Bitpazarit, esnafit të Çarshisë, por edhe në mesin e pensionistëve tanë dashur e të personave shumë të dashur me nevoja të veçanta. Faleminderit dhe mirënjohje pa fund për të gjithë.
Shumë të dashur të pranishëm, para se të përfundoj më duhet t’ju them edhe një gjë. Beteja në Çair nuk është vetëm betejë për atë se kush do ta menaxhojë këtë komunë në katër vitet e ardhshme. Kjo betejë do ta përcaktojë edhe të ardhmen politike të shqiptarëve: a do të kthehen ata që qeverisën me arrogancë dhe përfunduan në lista të zeza apo do të vazhdojmë të qeverisim ne me elegancë dhe të jemi në faqet e ndritura të historisë sonë?!
Prandaj, duhet ta kuptojmë se në Çair bëhet betejë për të gjitha vendbanimet tona që nga Likova e deri në Strugë. Kjo është arsyeja që unë isha shumë i kujdesshëm në këtë fushatë dhe për këtë arsye jam përpjekur që kjo betejë të jetë garë me ide e programe dhe jo një garë me ofendime e denigrime.
"Unë e kam pranuar rolin e shërbyesit të popullit dhe jam i gatshëm që deri në fund të punojmë dhe të sakrifikojmë që ëndrrën e atyre që na projektuan si geto, ta kthejmë në Çair të ëndrrave tona, në një zonë urbane dhe të zhvilluar të qytetit tonë", tha mes tjerash Mexhiti.