• e premte, 05 dhjetor 2025

Mexhiti në Shenja: Çairi është shndërruar në faktor politik, ekonomik e arsimor, beteja është ndër më të rëndësishmet

Mexhiti në Shenja: Çairi është shndërruar në faktor politik, ekonomik e arsimor, beteja është ndër më të rëndësishmet

Shkup, 15 tetor 2025

Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Çairit, Izet Mexhiti, në
emisionin “Debat në Shenja” ka theksuar rëndësinë që ka gara për këtë
komunë, duke e cilësuar si një ndër më të rëndësishmet në vend për shkak
të vlerës së saj politike, ekonomike dhe arsimore, theksohet në kumtesën e VLEN-it të cilën MIA e përcjell në mënyrë integrale.

“Vet fakti që të gjithë po përpiqen të jenë pjesë e garës për Çairin,
tregon sesa vlerë ka kjo komunë. Në vitin 2005, kur mora mandatin si
kryetar i parë, Çairi ishte në një gjendje të rëndë, me një territor
prej vetëm 3.4 km², sa kazerma Ilinden, me rreth 70 mijë banorë,
papunësi mbi 40%, lagje të izoluara si Serova, Gazi Baba, Dizhoni dhe
Teneqe Mahalla, me Çarshinë e vjetër të shndërruar në muze dhe me nivel
të lartë të analfabetizmit", deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se gjatë këtyre viteve ka ndodhur një transformim i madh në
këtë komunë. “Sot kemi një rritje të ndjeshme të nivelit të shkollimit,
shumë të rinj kanë përfunduar arsimin e mesëm, fakultetet, madje edhe
studimet pasuniversitare. Në të kaluarën, Çairi nuk kishte asnjë
ndërmarrje ndërtimi, ndërsa sot kemi mijëra të tilla, të cilat nuk
operojnë vetëm brenda komunës, por kanë ndikim shumë më të gjerë”, u
shpreh Mexhiti.

Sipas tij, ky zhvillim e ka kthyer Çairin në një faktor të rëndësishëm
në skenën politike dhe ekonomike të vendit. “Prandaj edhe të tjerët
bëjnë çmos që të jenë pjesë e Çairit, sepse kush është faktor në Çair,
është faktor në nivel më të gjerë”, përfundoi ai.

QËNDRONI TË LIDHUR