Mexhiti në prezantimin e Master planit: Çairi do të ketë plan zhvillimi për dekadat e ardhshme
- Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar sot Master Planin gjithëpërfshirës për zhvillimin urban dhe ekonomik të Çairit, i përgatitur nga një ekip profesionistësh nga Turqia nën udhëheqjen e ekspertit të njohur të urbanizmit, Bajram Vardar, në bashkëpunim me ekspertë vendorë, thuhet në kumtesën e VLEN-it, të cilën MIA e publikon në formë integrale.
- Post By Arta Bunjaku
- 20:45, 5 tetor, 2025
Shkup, 5 tetor 2025
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar sot Master Planin gjithëpërfshirës për zhvillimin urban dhe ekonomik të Çairit, i përgatitur nga një ekip profesionistësh nga Turqia nën udhëheqjen e ekspertit të njohur të urbanizmit, Bajram Vardar, në bashkëpunim me ekspertë vendorë, thuhet në kumtesën e VLEN-it, të cilën MIA e publikon në formë integrale.
Duke folur për rëndësinë e këtij dokumenti strategjik, Mexhiti theksoi se ideja ka qenë që Vardar të implementojë Master planin në Çair ashtu siç ka vepruar në vendet ku ka punuar, pasi problematikat dhe mentaliteti janë thuajse të njëjtë.
“Bajram Vardar është shkolluar në Fakultetin e Arkitekturës dhe ka qenë pjesë e ekipit të Erdoganit. Në Bursa ka qenë njeriu i dytë në komunë dhe ka udhëhequr sektorin e urbanizmit. Ideja ka qenë që problemet dhe mentaliteti janë të ngjashëm, prandaj shembujt pozitiv nga atje t’i implementojmë edhe në Çair. Ky Master Plan është punuar për t’i shërbyer dekadave të ardhshme dhe është plotësisht në përputhje me ligjin e ndërtimit dhe me PGJU-në e re të Shkupit. Kryetari i ri i qytetit do të duhet të punojë me nëntë komuna, ndërsa Çairi këtë plan do ta ketë gati gratis nga Bajrami”, u shpreh Mexhiti.
Sipas tij, Master Plani përfshin vizion të detajuar në shtatë fusha kyçe: komunikacionin, parkingjet, jetën kulturore, monumentet, turizmin, arsimin dhe rininë.

Në aspektin e komunikacionit, Mexhiti paralajmëroi zgjerim të rrugëve ekzistuese dhe ndërtim të bulevardeve të reja lidhëse si vazhdimësi e projekteve “Slovenia” dhe “Bosnja e Hercegovina”, me planifikimin e bulevardeve të reja “Kroacia” dhe “Mali i Zi” që do të krijojnë unaza lidhëse mes Butelit, Gazi Babës, Karposhit dhe Gjorçe Petrovit, duke e
shkarkuar dukshëm trafikun në Çair.
Një tjetër element thelbësor është projekti për 5,000 vendparkime të reja, duke filluar me sheshin “Skënderbeu”, ku kapaciteti aktual prej 400 veturash do të dyfishohet në 800.
Në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore, Mexhiti theksoi domosdoshmërinë e valorizimit të Çarshisë së Vjetër dhe Muzeut të Çarshisë, duke e shndërruar këtë pjesë në zonën më atraktive të qytetit dhe burim të qëndrueshëm të ardhurash për komunën.
Ndërkaq, arkitekti Bajram Vardar theksoi se ky Master Plan është ndërtuar mbi përvojat më të avancuara të planifikimit urban të qyteteve moderne, duke respektuar në të njëjtën kohë karakterin historik dhe social të Çairit. Ai nënvizoi se qëllimi nuk është vetëm rregullimi
fizik i hapësirës, por krijimi i një ekuilibri mes zhvillimit, trashëgimisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.
VLEN
Foto: VLEN