Mexhiti: Me siguri do të jem kandidat i VLEN-it për Çairin, veting më të mirë do të bëjnë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme lokale
- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti sot theksoi se me siguri ai do të jetë kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga VLEN-i në zgjedhjet e ardhshme lokale.
- Post By Arta Bunjaku
- 13:43, 29 korrik, 2025
Shkup, 29 korrik 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti sot theksoi se me siguri ai do të jetë kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga VLEN-i në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Mexhiti sot gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për furnizim të pajisjes për menaxhim me mbeturinat për 18 komuna nga Rajoni jugperëndumor dhe ai i Pellagonisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse ai do të jetë kandidat i VLEN-it për Pairin, u përgjigj shkurt: "Me siguri po".
Ai theksoi se janë nga fundi konsultimet dhe priten rezultatet nga anketat dhe shtoi se beson që deri në fund të javës do të dalin me listë të kandidatëve nga Struga deri në Likovë, me listë të plotë të kryetarëve të komunave.
"Konsultimet janë nga fundi, i presim rezultatet nga anketat, sepse dëshirojmë t'i zgjedhim më të mirët, më profeisonistët, ta japim zgjidhjen më të mirë për secilën komunë dhe ata nuk do të jenë vetëm fitues dhe lista fituese, por do të jenë më të mirët në realizimin e asaj çka mund të bëhet më së shumti për ato komuna, në të cilat do të kandidojnë. Mendoj se deri në fund të javës do t'i kemi kandidatët nga VLEN-i, nga Struga deri në Likovë, për secilën komunë në veçanti", theksoi Mexhiti.
Lidhur me atë se në cilat komuna është dakorduar mbështetje e ndërsjelltë me VMRO-DPMNE-në, Mexhiti nuk ceki komuna konkrete, por përmendi se do të veprojnë ashtu siç është vepruar deri më tani, siç janë mbështetur deri më tani në mënyrë të ndërsjelltë qeveritë apo partnerët e koalicionit, do ta ndihmojnë njëri-tjetrin, atje ku nuk munden vetë.
Për atë se ku e pret betejën më të madhe me BDI-në, Mexhiti theksoi se BDI tashmë e ka humbur betejën që para se të fillojnë zgjedhjet, sepse e ka ulur numrin e kandidatëve nga më parë në interes të dy aleancave.
"Së pari BDI e ka humbur betejën që para se të fillojë, komunat me shumicë shqiptare janë 15 deri 14, realisht BDI para se të fillojë beteja shtatë apo tetë ia dha dy aleancave dhe nëse sot BDI ka 11 - 12 kryetarë të komunave, tani ka vetëm shtatë kandidatë, ndërkaq nga ata shtatë, pyetja është sa do të fitojnë. mendoj se humbës më i madh në zgjedhjet lokale do të jetë BDI, sepse do të mbetet me dy tre komuna dhe ai do të jetë fillimi i fundit", theksoi mexhiti dhe shtoi se VLEN-i çdokund do t'i japë kandidatët më të mirë, përderisa BDI shkon me emra të vjetër dhe të njohur.
Lidhur me propozimin e BDI-së për sjellje të ligjit për veting me mbikëqyrje ndërkombëtare, përmes të cilit do të bëhej kontrolli i prejardhjes së pronës së të gjithë bartësve të funksioneve në 33 vitet e fundit, ai theksoi se BDI duhet të shohin brenda partisë, në të cilën siç tha, gjysma e kryesisë janë në Listën e zezë të SHBA-së, pjesa tjetër ndërkaq janë me vepra penale, kështu që, sipas Mexhitit, veting më të mirë për ta do të bëjnë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në pyetjen lidhur me atë nëse ka konsensus për ndryshime të Kodit zgjedhor dhe nëse dikush me qëllim po e bllokon atë çështje, Mexhiti theksoi se ka mendime të ndryshme për çështje të ndryshme tek partitë e ndryshme.
"Ka mendime të ndryshme, tek partitë më të vogla, partitë më të mëdha, për çështje të veçanta duhen përgjigje të veçanta, për shembull për listat e VLEN-it ka përgjigje të qartë, se jemi për lista të hapura sepse ato janë më demorkatike dhe më inkluzive, por për atë nevojitet konsensus", theksoi Mexhiti. ab/
Foto: printskrin