• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Mexhiti: Me Kasamin dhe Gashin biseduam për parimet e bashkëpunimit tonë

Mexhiti: Me Kasamin dhe Gashin biseduam për parimet e bashkëpunimit tonë

Shkup, 24 korrik 2023 (MIA) –  Izet Mexhiti i cili doli nga BDI-ja dhe paralajmëroi se do të formojë lëvizje të re politike, pas takimit të sotëm me liderët e Besës dhe Alternativës, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, publikoi se kanë biseduar për parimet e bashkëpunimit të tyre të ardhshëm për bashkimin e opozitës shqiptare.

"Të nderuar qytetarë, bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë. Ashtu siç kemi deklaruar edhe më herët, do të angazhohemi fuqishëm për të unifikuar zërin opozitar në vend. Në këtë drejtim ishte edhe takimi i sotshëm me z. Kasamin dhe z. Gashin në Kuvendin e RMV-së, ku diskutuam rreth parimeve të bashkëpunimit tonë. Rrugëtimi ynë i sinqertë vazhdon! Na priftë e mbara!", shkroi Mexhiti në Fejsbuk.

Publikime bënë edhe Kasami dhe Gashi të cilën potencuan se kanë diskutuar për përforcimin e mundshëm të bllokut opozitar shqiptar. 

"Sot, kemi realizuar një takim të përbashkët dhe tepër konstruktiv me Izet Mexhitin, që vepron në kuadër të lëvizjes së re dhe me liderin e Alternativës, Afrim Gashi. Kemi diskutuar mbi idenë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit rreth krijimit të frontit të përbashkët opozitar si një domosdoshmëri në skenën politike shqiptare. Në një atmosferë miqësore dhe konstruktive kemi diskutuar mbi hapat e ardhshëm për një bashkëpunim frytdhënës në skenën politike shqiptare. Detajet tjera mbi këtë bashkëpunim do të shpalohen në ditët në vijim", shkroi Kasami.

Gashi, mes tjerash, potencoi se është diskutuar edhe për përgatitjen e një drafti të një oferte që më tej do të zgjerohet në program parazgjedhor.

"Orteku tashmë ka filluar. Përmbysja e këtij pushteti është në horizont. Në zgjedhjet e reja qeveri e re", shkroi Gashi.

Në takim, siç deklaroi paraprakisht Mexhiti për një pjesë të mediave, është folur edhe për debatin e nesërm të ndryshimeve kushtetuese, për çka tha se nuk ka dilemë se do të japin mbështetje. Për mbështetjen e Alternativës për këtë çështje, sipas Gashit, do të vendosin organet partiake, por nuk do t'i bllokojnë eurointegrimet e shtetit.

"Të shohim si do të shkojë debati. Normalisht, tek ne, në fund organet vendosin për një çështje kaq të rëndësishme. Në thelb kemi thënë se jemi pro integrimit evropian. Prandaj kemi qenë pjesë e Qeverisë dhe prandaj do të përpiqemi, do të bëjmë gjithçka që negociatat dhe kapitujt të hapen sa më shpejt. Por, ne duam ta përdorim qartë këtë proces, të flasim konkretisht se kujt i pengon që shqipja të quhet ashtu siç quhet, dhe të shkruhet me një fjali poshtëruese - gjuhën që e flasin më shumë se 20 për qind dhe që nuk janë pjesë e shumicës në vend", deklaroi Gashi.

Pas takimit të Mexhitit, Gashit dhe Kasamit, nënkryetari i Besës, Arjanit Hoxha gjithashtu në një publikim në rrjetet sociale u distancua nga, siç shkroi, veprimet politike në të a.q. "bllok opozitar".

"Nga sot distancohem plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturin “bllok opozitar” duke vlersuar se aktorët kryesor, bartës të kësaj nisme nuk kanë për qëllim rotacionin politik, por thjesht “lavazhin” e figurave politike të cilët jo shumë larg nga sot ishin pikërisht aktorë për mbajtjen gjallë të qeverisjes aktuale dhe parandaluan rotacionin në kampin politik shqiptar. Për detajet rreth bindjeve politike dhe njerëzve të cilët ndajnë mendimin e njejtë politik me mua do të ju njoftojmë përmes paraqitjes publike gjatë kësaj jave", qëndron në publikimin e Hoxhës.

Foto: Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR