• e premte, 05 dhjetor 2025

Mexhiti: Marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar, një mundësi e re për të zgjidhur përfundimisht problemin me mbetjet e rrezikshme

Mexhiti: Marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar, një mundësi e re për të zgjidhur përfundimisht problemin me mbetjet e rrezikshme

Londër, 22 maj 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, vlerësoi si ditë historike për vendin nënshkrimin e sotëm të Marrëveshjes midis qeverive të Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me një partneritet për realizimin e projekteve infrastrukturore.

"Kjo është një ditë historike për vendin, nënshkrimi i një marrëveshjeje financiare me Britaninë e Madhe, me të cilën në mënyrë strategjike zgjidhen edhe investohen në disa fusha si komunikacioni hekurudhor, arsimi dhe shëndetësia. Kësaj i shtuam edhe projekte ekologjike. Për dekada të tëra, ne jemi përpjekur, duke luftuar për të zgjidhur problemin me mbetjet e rrezikshme në disa pika në të gjithë vendin, veçanërisht në fabrikat nga ish-Jugosllavia, ku mbeturinat përbëjnë një rrezik si për natyrën ashtu edhe për qytetarët. Kjo është një mundësi e re për ta zgjidhur këtë problem një herë e përgjithmonë, duke kontribuar kështu në një jetë dhe natyrë më të shëndetshme në vendin tonë", tha Mexhiti pas nënshkrimit të marrëveshjes në sallën Uinston Çerçill, në Departamenetin për biznes dhe tregti të qeverisë britanike, njoftoi raportuesi i MIA-s.

Mexhiti ishte pjesë e delegacionit qeveritar të udhëhequr nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, në të cilin ishin edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska dhe drejtori i Hekurudhave dhe Infrastrukturës së Maqedonisë, Sinisa Ivanovski.

Marrëveshja u nënshkrua, në emër të qeverisë së Maqedonisë nga zëvendëskryeministri Nikolloski, ndërsa në emër të Mbretërisë së Bashkuar, nga ministri britanik i ekonomisë dhe eksportit, Geret Tomas. 

Me marrëveshjen qeveri me qeveri Maqedonisë i vihen në dispozicion pesë miliardë funta për projekte në fushat e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit, teknologjisë, inovacionit dhe mjedisit jetësor. ls/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR