Mexhiti: Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk është vetëm kujtim, por proces i gjallë - për ta ruajtur atë si margaritarin tonë politik dhe moral
- Nuk ka demokraci të vërtetë pa besim dhe nuk ka shtet funksional pa barazi. Kjo është filozofia që e udhëheq Qeverinë tonë - ndërtimi i një shoqërie që e sheh diversitetin jo si pengesë, por si pasuri, jo si ndarje, por si mundësi. Prandaj, çdo vendim politik që marrim, çdo reformë që ndërmarrim, gjithashtu duhet të jetë në përputhje edhe me frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit, porositi zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti në seancën solemne, me rastin e 24 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke theksuar se “fryma që duam të instalojmë në shoqërinë tonë është fryma e bashkëjetesës, respektit dhe shpresës së ndërsjellë për të ardhmen.”
- Post By Fami Bajrami
- 15:16, 13 gusht, 2025
Shkup, 13 gusht 2025 (MIA) – Nuk ka demokraci të vërtetë pa besim dhe nuk ka shtet funksional pa barazi. Kjo është filozofia që e udhëheq Qeverinë tonë - ndërtimi i një shoqërie që e sheh diversitetin jo si pengesë, por si pasuri, jo si ndarje, por si mundësi. Prandaj, çdo vendim politik që marrim, çdo reformë që ndërmarrim, gjithashtu duhet të jetë në përputhje edhe me frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit, porositi zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti në seancën solemne, me rastin e 24 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke theksuar se “fryma që duam të instalojmë në shoqërinë tonë është fryma e bashkëjetesës, respektit dhe shpresës së ndërsjellë për të ardhmen.”
Marrëveshja Kornizë e Ohrit, tha Mexhiti në fjalën e tij, nuk është vetëm një kujtim, por "proces i gjallë që duhet të shndërrohet çdo ditë në ligje të dhe politika të drejta dhe institucione gjithëpërfshirëse që u shërbejnë qytetarëve me ndershmëri."
"Ta ruajmë këtë marrëveshje si margaritarin tonë politik dhe moral. Le të vazhdojmë ta zbatojmë atë me përkushtim dhe vizion, pasi vetëm në këtë mënyrë shtëpia jonë e përbashkët e Maqedonisë së Veriut mund të jetë vend i drejtë, i barabartë dhe prospetues për të gjithë", deklaroi Mexhiti.
Mexhiti theksoi se sot nuk kujtojmë vetëm një dokument që i dha fund konfliktit, por kujtojmë vizionin politik dhe institucional mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë modern - shtet i të gjithëve dhe për të gjithë.
"Marrëveshja Kornizë e Ohrit është themeli mbi të cilin kemi zhvilluar qasje të re për ndërtimin e shtetit – qasje që e sheh barazinë, gjithëpërfshirjen dhe i bën ato elemente të pandashme të funksionimit demokratik. Sot, politikat tona qeveritare bazohen pikërisht në këtë frymë, për të krijuar një shtet që i shërben çdo qytetari, pavarësisht përkatësisë etnike, përcaktimit fetar apo politik. Marrëveshja e Ohrit nuk ishte vetëm një marrëveshje paqeje, por ishte marrëveshja jonë e re shoqërore mbi të cilën krijuam një sërë reformash dhe politikash që synojnë transformimin e institucioneve nga struktura të mbyllura në mekanizma të hapura, të arritshme dhe përfaqësuese", tha Mexhiti.
Qeveria, theksoi Mexhiti, është e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi juridik dhe institucional që garanton barazi reale, jo vetëm formale, duke vënë në dukje se "ky vit është më i suksesshmi që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut."
"Ky nuk është vetëm një detyrim ligjor, ky është një mision politik dhe moral, sepse të gjithë i ndjejmë pasojat e barazisë formale. Pasojë e barazisë formale është ligji gjysmak për përdorimin e gjuhëve, i cili është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, por edhe mekanizmi i balancerit, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese... Gjykata Kushtetuese duhet të interpretojë ligjet në përputhje me Kushtetutën dhe frymën e saj, dhe jo vetëm të bëjë lexim bardh e zi të anëtarëve të saj. Për këtë arsye, Qeveria forcon përdorimin e gjuhëve në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së shtetit, në të gjitha nivelet e administratës dhe jetës publike, si simbol i barazisë dhe respektit ndëretnik. Thënë thjesht, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike nuk është shfuqizuar, por ne bëjmë përpjekje për ta forcuar atë në kushtet kur ligji aktual sfidohet para Gjykatës Kushtetuese, ne zbatojmë politika gjithëpërfshirëse në arsim dhe kulturë që pasqyrojnë mozaikun tonë shoqëror dhe i japim çdo bashkësie hapësirën e merituar për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e saj. Ndërtojmë shërbim multietnik civil ku përfaqësimi nuk është vetëm statistikë, por vlerë e shtuar për efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve. Në këtë frymë, e kemi përpiluar edhe ligjin për përfaqësim të drejtë, i cili së shpejti do të miratohet në Kuvend, deklaroi Mexhiti.
Foto: printskrin