Mexhiti: Marrëveshja e Ohrit i vendosi themelet për bashkëjetesë të re mbi parimet e demokracisë, gjithpërfshirjes dhe respektit të ndërsjellë
- - Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument politik. Është akt vizionar, marrëveshje historike midis bashkësive që jetojnë në këtë vend, angazhim për ndërtimin e një shteti në të cilin të gjithë ndihen të barabartë, të përfaqësuar dhe të respektuar, tha sonte zëvendëskryeministri i parë në Qeveri Izet Mexhiti në kremtimin e 24 vjetorit nga Marrëveshja Kornizë.
- Post By Fitore Curri
- 22:00, 12 gusht, 2025
Shkup, 12 gusht 2025 (MIA) - Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument politik. Është akt vizionar, marrëveshje historike midis bashkësive që jetojnë në këtë vend, angazhim për ndërtimin e një shteti në të cilin të gjithë ndihen të barabartë, të përfaqësuar dhe të respektuar, tha sonte zëvendëskryeministri i parë në Qeveri Izet Mexhiti në kremtimin e 24 vjetorit nga Marrëveshja Kornizë.
Kjo marrëveshje, tha ai, i dha fund konfliktit të armatosur dhe hodhi themelet për një bashkëjetesë të re të bazuar në parimet e demokracisë, përfshirjes dhe respektit të ndërsjellë.
“Sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar dhe për të nderuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë të afërt – Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila para 24 vitesh i dha fund një konflikti të dhimbshëm dhe hapi rrugën drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët e vendit tone”, theksoi Mexhiti.

Sipas tij, muaji gusht mban një simbolikë të thellë për ne – Ilindeni dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy gurë themeli të shtetndërtimit modern të Maqedonisë së Veriut.
“Janë dy data që nuk duhet të jetojnë vetëm në kalendar, por në vetë ndërgjegjen tonë kolektive. Ato na kujtojnë se vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, sakrificës dhe dialogut mund të ndërtojmë një shoqëri funksionale, të drejtë dhe demokratike”, potencoi zëvendëskryeministri i parë.
Për Marrëveshjen e Ohrit tha se nuk është thjesht një dokument politik dhe se shqiptarët dhe maqedonasit – por edhe të gjitha bashkësitë tjera etnike – nuk janë thjesht pjesë të një shteti, por bashkëthemelues të tij.
“Ne nuk mund të shmangim njëri-tjetrin, dhe as nuk duhet të provojmë. Jemi të thirrur të jetojmë së bashku, të krijojmë së bashku, të ndajmë përgjegjësitë dhe sukseset, të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët për brezat që vijnë. Kjo nuk është një detyrë – është një mundësi historike!”, theksoi Mexhiti.
Ai kujtoi dhe njoftoi se zgjedhjet lokale po afrojnë dhe se është e natyrshme në çdo shoqëri pluraliste që tensionet politike të rriten, por edhe se ata kanë detyrim që përmes pjekurisë institucionale dhe përgjegjësisë politike të ruajnë unitetin dhe stabilitetin. Ai tha se qytetarët presin përgjegjësi dhe punë dhe njoftoi një angazhim për ta arritur këtë.
Në pritje morën pjesë kryeministri Hristian Mickoski, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, ministra, përfaqësues të korit diplomatik dhe personalitete të tjera nga jeta politike dhe shoqërore në vend.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale në Vodno në Shkup nga presidenti i atëhershëm i vendit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, Lubço Georgievski, si dhe udhëheqësit e atëhershëm të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, i PPD-së, Imer Imeri dhe PDSH-së, Arben Xhaferi. Përfaqësuesit specialë të BE-së dhe SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju, gjithashtu nënshkruan marrëveshjen. Disa këshilltarë dhe ekspertë u konsultuan në bisedimet që filluan në korrik në Shkup dhe më pas vazhduan në Ohër. fc/
Foto: Qeveria e RMV-së