• e mërkurë, 04 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mexhiti: Lokacioni në Manastir tani ka rreth 50 deponi të egra, ideja është të krijohet një sipas standardeve evropiane (PLT)

Mexhiti: Lokacioni në Manastir tani ka rreth 50 deponi të egra, ideja është të krijohet një sipas standardeve evropiane (PLT)

Shkup, 3 prill 2025 (MIA) - Lokacioni në Manastir tani ka rreth 50 deponi ilegale, ndërsa projekti parasheh një lokacion të ri në kuadër të direktivave të BE-së, afër REK Manastir. Mjetet janë pranuar dhe nuk ka efekte negative në mjedisin jetësor, tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Bisera Kostadinovska Stojçevska nga LSDM, Mexhiti tha se ideja është që të ndërtohet një rrugë e re për qasje në këtë deponi, e cila nuk do të kalojë nëpër Manastir, por do të kalojë përreth dhe do të jetë në funksion të disa komunave.

"Lokacioni i zgjedhur është në kuadër të REK Manastir, brenda. Lokacioni për momentin ka mbi 50 deponi ilegale dhe ideja është eliminimi i tyre dhe të krijohet një deponi sipas standardeve evropiane. Lokacioni aktual i përdorur nga Komuna e Manastirit ndot ajrin, ujin dhe tokën dhe lokacioni i ri do të jetë në kuadër të direktivave të BE-së për deponitë dhe ligjet e vendit. Fondet janë siguruar dhe ky lokacion nuk do të ndikojë negativisht ndaj mjedisit. Deponia e re nuk do të shkaktojë ndotje, por do të eliminojë 50 deponi ilegale", theksoi Mexhiti nga foltorja e Kuvendit.

Kjo është faza e parë dhe të gjithë duhet të mbledhim forca dhe mjete për të hyrë në fazën e dytë dhe të tretë, që do të thotë edhe riciklim.

"Jemi në komunikim si me njësitë e qeverisjes lokale ashtu edhe me rajonet dhe nuk do të bëhet asgjë që nuk është në interes të qytetarëve dhe mjedisit. E njëjta qasje vlen për të gjitha deponitë rajonale në nivel republikan", tha Mexhiti.

Projekti për deponitë, theksoi Mexhiti, financohet me mjete nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investime.

"Këto projekte kanë filluar në kohën e qeverisë së kaluar dhe dinamika është shumë më intensive. Tash jemi duke punuar intensivisht dhe në projektin e parë me komunat deri më tani kemi arritur mbi 15 për qind dhe kemi filluar nga 0 për qind", theksoi Mexhiti.

I pyetur për derdhjen në Kriva Pallankë, Mexhiti tha se Inspektorati i Mjedisit Jetësor drejtpërdrejt ka shqiptuar dënimin më të lartë ndaj kompanisë dhe priten analiza shtesë për të parë gjendjen konkrete. "Në momentin kur të merren informacione, inspektorati do të mbajë një konferencë për media për ta përshkruar në detaje", tha Mexhiti. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR