• e mërkurë, 28 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mexhiti: Ideja për shkrirjen në Vlen ka ekzistuar që në fillim, Taravari duhet të vendos

Mexhiti: Ideja për shkrirjen në Vlen ka ekzistuar që në fillim, Taravari duhet të vendos

Shkup, 8 prill 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i cili është pjesë e koalicionit të bllokut politik shqiptar "Vlen", pohon se lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka qenë i informuar me idenë e bashkimit të partive politike nga ky koalicion në një parti.

Ideja e shkrirjes, ashtu siç theksoi, ka qenë e pranishme që në fillimet e koalicionit, por pritej momenti i duhur për të harmonizuar strukturat, idetë dhe programet partiake, për të hedhur hapin tjetër, i cili është formimi i një subjekti politik.

"Për hir të së vërtetës, z.Taravari është i informuar për këtë. Ne flasim gjatë gjithë kohës për atë nëse VLEN duhet të fillojë të shkrihet - nga lart apo nga poshtë. Ne tashmë kemi një Komision të përbashkët kadrovik, ku ka anëtar edhe Taravari edhe unë edhe të tjerët. Gjithashtu, Qendra për informim funksionon në kuadër të VLEN-it si e përbashkët. Këto ishin hapat e parë drejt bashkimit në një subjekt politik. Domethënë kjo nuk është një ide e re dhe ne as nuk kemi dashur ta përshpejtojmë procesin dhe as ta lëmë në harresë. Me këto trazira ku Taravari publikisht tregon se ka dy mundësi, domethënë nuk po pozicionohet si pjesë e koalicionit, por si partner - mund të negociojë me VLEN-in dhe me BDI-në. Në këtë situatë, pjesa tjetër e VLEN-it vlerësoi se është koha që të mbyllen temat e partive të vogla politike dhe të formohet VLEN-i si alternativë për shqiptarët, të cilët sollën ndryshimin në zgjedhjet e mëparshme dhe që do t'i udhëheqin ndryshimet", deklaroi sot Mexhiti.

Në pyetje të gazetarëve se a është e mundur një shpërndarje e re e resoreve në Qeveri, pasi që është e qartë se nuk ka problem në koalicionin qeveritar, por midis VLEN-it dhe Taravarit, i cili ka pesë deputetë, Mexhiti theksoi se kjo është pyetje për Taravarin.

"Ne në VLEN jemi të unifikuar. Kjo është pyetje për Taravarin. Taravari duhet të vendos nëse është pjesë e VLEN-it apo është në negociata me BDI-në, edhe njëra edhe tjetra nuk janë të mundura. Negociatat me BDI-në domethënë se mund të dërgojë edhe fatura nga BDI-ja dhe më atëherë të bie ndesh me politikat e Qeverisë", theksoi Mexhiti.

Në insistimin të përgjigjet në atë nëse është e pranueshme për VLEN-in mundësia që Taravari të largohet nga koalicioni, ndërsa të qëndrojë në Qeveri, ai përsëriti se presin së pari të përgjigjet Taravari, e pastaj ata do të prononcohen.

"Unë e shoh si pjesë të VLEN-it, i kërkoj vetëm të reflektojë dhe të ndërpresë negociatat me BDI-në, sepse nuk ka kuptim që ai të jetë pjesë e VLEN-it dhe të ketë negociata me BDI-në. Ndryshe, deklaratat nëse nuk arrin marrëveshje me VLEN-in, do të dalë vetëm në zgjedhje dhe diku do të bashkëpunojë me BDI-në, e diku me VLEN-in, kjo nuk ekziston në teorinë politike, as në praktikë. Prandaj, kërkoj që organet e tij partiake t'i rishqyrtojnë edhe një herë këto deklarata. Kemi një program qeveritar përpara, projekte të rëndësishme për qytetarët dhe duhet t'i mbyllim sa më shpejt këto dilema dhe të ecim përpara së bashku", theksoi Mexhiti.

Sipas Mexhitit, Taravari është mbivotuar nga subjektet e tjera në koalicion në lidhje për propozimin e tij për të dalë me lista të veçanta në zgjedhjet lokale.

Thotë se nuk është me rëndësi se cili do të jetë lider i partisë së re, por koncepti i VLEN-it, ndërsa kërkesa e votuesve është që VLEN-i, tha Mexhiti, të bashkohet në një subjekt politik.

"Mendoj se jemi në rrugën e duhur, e kush do të jetë në pozitat udhëheqëse, cili do të jetë kryetar, sekretar, këtë do t'ia lëmë procesit dhe organeve", tha Mexhiti.

Taravari, i cili udhëheq një krah të Aleancës për Shqiptarët dhe është pjesë e koalicionit "Vlen", dje deklaroi se nuk ka marrë ofertë nga "Vlen" për t'u bashkuar në një parti.

"Deri tani nuk kemi pasur ofertë nga 'Vlen' për të qenë një parti. Nëse kemi, do të vendosim, por nëse ata tashmë kanë vendosur, ne u japim emrin - le ta mbajnë emrin "Vlen". Ne do të mbetemi pesë deputetë nga Aleanca dhe do të vazhdojmë si grup parlamentar, por jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë", deklaroi Taravari, duke mohuar se ka pasur bisedë me BDI-në. rq/bsh/

Foto: Printksin

 

QËNDRONI TË LIDHUR