Mexhiti: Fillon projekti i rikonstruimit të rrugëve dhe ndriçimit publik në Çairin e Vjetër
- Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidat për kryetar të komunës së Çairit nga VLEN, Izet Mexhiti sot njoftoi se ka filluar një projekt i rëndësishëm për Çairin e Vjetër i cili synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në këtë lagje.
- Post By Fami Bajrami
- 15:23, 6 shtator, 2025
Shkup, 6 shtator 2025 (MIA) – Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidat për kryetar të komunës së Çairit nga VLEN, Izet Mexhiti sot njoftoi se ka filluar një projekt i rëndësishëm për Çairin e Vjetër i cili synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në këtë lagje.
“Me financim të siguruar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes thirrjes së dytë për mbështetje të komunave, do të bëhet rikonstruimi i rrugëve në një gjatësi totale prej 2 km. Punimet përfshijnë: trotuare të rregulluara, rrugë të sigurta dhe të qëndrueshme, infrastrukturë moderne që plotëson standardet e nevojshme. Vlera e investimit për rikonstruimin e rrugëve është 30.367.000 denarë. Paralelisht, do të realizohet edhe rikonstruimi i ndriçimit publik në të gjitha rrugët e përfshira, me një investim prej 7.264.000 denarë që do të sigurojë më shumë ndriçim, më shumë siguri dhe kushte më të mira për banorët e lagjes, theksoi Mexhiti.
Ky projekt është vetëm një nga shumë investimet që VLEN po realizon dhe do të vazhdojë t’i realizojë në Çair.
“Qëllimi ynë është i qartë- zgjidhje konkrete, investime të prekshme dhe përmirësim i vazhdueshëm i jetës së qytetarëve”, tha mes tjerash Mexhiti.
Foto: Shtabi zgjedhor i Mexhitit