• e shtunë, 23 nëntor 2024

Mexhiti: Ende po punohet në raportin e mbikëqyrjes inspektuese në Gjinekologji, do ta shqyrtojmë dhe publikojmë

Mexhiti: Ende po punohet në raportin e mbikëqyrjes inspektuese në Gjinekologji, do ta shqyrtojmë dhe publikojmë

Shkup, 5 korrik 2023 (MIA) - Ende po punohet në raportin e mbikëqyrjes inspektuese të Gjinekologjisë, por do të kërkoj që ta shqyrtojmë dhe publikojmë, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti duke u përgjigjur në pyetjen për lehonën e cila tentoi të bënte vetëvrasje. Ai paralajmëroi se do të punojnë në masat për vendosjen e programit për këshillim psikologjik të grave gjatë gjithë shtatzënisë, si parandalim të ngjarjeve të tilla.

"Mendoj se ende po po punohet në raportin e Mbikëqyrjes Inspektuese, por do ta kërkoj, do ta shqyrtojmë dhe do ta publikojmë. Do të njoftoheni në momentin kur do të merrni një raport të tillë", deklaroi Mexhiti pas promovimit në hapjen e Qendrës së Osteoporozës dhe promovim të aparatit të ri për densitometri në SPQ "8 Shtatori".

I pyetur se a mendon që t'i fuqizojë spitalet me psikologë pas kësaj ngjarje, Mexhiti theksoi se do të vazhdojnë të punojnë në parandalim, ndërsa planifikojnë të bëjnë program për këshillim psikologjik të grave shtatzëna. 

"Ne asnjëherë nuk mund të parashikojmë ngjarje të tilla. Megjithatë bëhet fjalë për ngjarje shumë komplekse dhe të ndjeshme. Do të duhet të punojmë më shumë në parandalim. Për gratë shtatzëna do të bëjmë program që të kenë këshillim psikologjik gjatë gjithë shtatzënisë. Kjo është një nga masat të cilën planifikojmë ta zbatojmë. Nuk e di nëse do të jetë falas, do të shohim se si do të organizohet, por do të ketë fushata për këtë", tha Mexhiti. 

Përndryshe, po vijon mbikëqyrja inspektuese e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë ku të dielën një lehonë tentoi të bënte vetëvrasje. 

"Komisioni ka dalë në teren dhe po vijon mbikëqyrja për vërtetimin e gjendjes faktike. Pas përgatitjes së raportit nga ana e ISHSSH-së, publiku do të informohet me kohë", njoftuan dje nga Ministria e Shëndetësisë. fc/

Fotografia: MIA

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR