Mexhiti: Do të ndërmerret gjithçka që nevojitet për sanimin e dëmeve ekologjike pas zjarri në Trubarevë
- Do të ndërmerret gjithçka që është e nevojshme për sanimin e dëmeve mjedisore pas zjarrit në Trubarevë, deklaroi sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit, Izet Mexhiti.
Shkup, 20 shtator 2025 (MIA) - Do të ndërmerret gjithçka që është e nevojshme për sanimin e dëmeve mjedisore pas zjarrit në Trubarevë, deklaroi sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit, Izet Mexhiti.
Siç deklaroi Mexhiti, po presim që të krijohen kushtet për të vepruar. Do të kryhen të gjitha analizat e nevojshme të ujit dhe tokës, në bazë të të cilave do të merren masat përkatëse.
"Qeveria veproi në mënyrë institucionale dhe në një kohë të shkurtër arriti të përballet me zjarrin, me katastrofën. Njerëzit që ishin aty pranë u evakuuan, zjarrfikësit vepruan heroikisht dhe ky problem u mbyll brenda një dite. Natyrisht, aty ku ka zjarr me përmasa të tilla, ka edhe ndotje, prandaj Ministria angazhoi si laboratorin e akredituar ashtu edhe laboratorët privatë. Ka analiza dhe publiku është i informuar në mënyrë transparente për situatën. Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të riparuar dëmet. Po presim që të krijohen kushtet. Do të bëhen analiza të tokës, ujit dhe gjithçkaje tjetër që nevojitet, dhe bazuar në këtë, do të merren masat e duhura", tha Mexhiti, duke iu përgjigjur pyetjeve së gazetarëve pas ngjarjes promovuese të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit për kryetarin e Qytetit të Shkupit.
Zjarri në Trubarevë shpërtheu të shtunën, më 13 shtator. Ka marrë flakë një objekt me mbeturina të ruajtura në mënyrë të papërshtatshme. Për shkak të shkallës dhe rrezikut të tij, zjarri nuk mundi të vihej nën kontroll. Ai përfshiu pjesën më të madhe të mbeturinave elektrike të ruajtura dhe objektet e degës së riciklimit. Djegia shkaktoi një çlirim masiv tymi, hiri dhe gazrash në ajrin ambiental. mb/
Foto: MIA