Mexhiti: Do të na matni me kilometrat e përfunduara, jo me fjalët e harxhuara
- Vetëm para disa viteve, të vetmet aktivitete “ndërtimi” që i shihnim ishin konferencat glamuroze të shtypit dhe kamerat e drejtuara nga shiritët që nuk u prenë kurrë me asfalt. Asgjë nuk po ndërtohej. Sot në vend të foto-aparateve, rreth nesh po gjëmojnë zhurmat e buldozerëve, ekskavatorëve dhe kamionëve. Ne nuk po xhirojmë spote reklamash- po ndërtojmë të ardhmen, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti me rastin e fillimit të ndërtimit të autostradës së re Tetovë- Gostivar.
- Post By Fami Bajrami
- 14:36, 3 maj, 2025
Shkup, 3 maj 2025 (MIA)- Vetëm para disa viteve, të vetmet aktivitete “ndërtimi” që i shihnim ishin konferencat glamuroze të shtypit dhe kamerat e drejtuara nga shiritët që nuk u prenë kurrë me asfalt. Asgjë nuk po ndërtohej. Sot në vend të foto-aparateve, rreth nesh po gjëmojnë zhurmat e buldozerëve, ekskavatorëve dhe kamionëve. Ne nuk po xhirojmë spote reklamash- po ndërtojmë të ardhmen, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti me rastin e fillimit të ndërtimit të autostradës së re Tetovë- Gostivar.
"Po ndërtojmë rrugë për popullin tanë. Korridori 8 është më shumë se një rrugë. Është arterie evropiane që lidh Adriatikun me Detin e Zi, e lidh zemrën e Ballkanit. Vendimi ynë strategjik është i qartë: Maqedonia përfundon seksionin e saj dhe e sjell Evropën në Ballkan, dhe Ballkanin në Evropë. Me fillimin e kësaj autostrade, ne po shndërrojmë rajonin e Pollogut në udhëkryq të mundësive dhe investimeve, vendeve të punës, po shkurtojmë rrugën midis Shkupit, Ohrit dhe Strugës dhe po afrojmë kufirin në Qafë Thanë me çdo shtëpi tonën dhe çdo ide biznesi që pret treg. Po krijojmë mundësi që t'i kthejmë fëmijët në shtëpi", tha Mexhiti.

Ai falënderoi ambasadoren e SHBA-së, Anxhela Ageler për mbështetjen e saj të vazhdueshme.
"Prania juaj sot është dëshmi se partneriteti strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm në letër, por edhe në çekan, në beton dhe në çelik. Në punë dhe në investime. Faleminderit", shtoi Mexhiti duke falënderuar njëherësh edhe ekipin e Behtel dhe Enka dhe shërbimet profesionale të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore.
"Pa ekspertizën tuaj, ky vizion nuk do të ishte bërë një fakt konstruktiv. Nuk po ndërtojmë vetëm një autostradë - po ndërtojmë besim. Në të njëjtën kohë, po investojmë në rrugët lokale, rrjetet e kanalizimit dhe ujësjellësit, shkollat dhe klinikat. Kombinimi i projekteve shtetërore dhe komunale do të thotë se çdo komunë ndjen se Qeveria është këtu – me mjete reale dhe rezultate reale", ka thënë zëvendëskryeministri i parë Mexhiti.

Këtë vit Maqedonia është një kantier i madh ndërtimi. Nga Kriva Pallanka deri në Resnjë, nga Tetova deri në Dollnen, nga Dibra deri në Strumicë – kudo që të shkoni, do të hasni shenja për kantier. Nuk është rastësi, është një plan. Sepse qytetarët tanë meritojnë infrastrukturë që shkurton kohën, rrit sigurinë dhe përmirëson cilësinë e jetës.
Sot po hedhim gurthemelin e një projekti me vlerë prej 90 milionë euro, por vlera e vërtetë është e pamatshme: Çdo jetë e shpëtuar për shkak të një rruge më të sigurt, çdo biznes i ri që zgjedh të investojë këtu për shkak të logjistikës së përmirësuar, çdo i ri/e re që do të qëndrojë në rajon sepse ju vijnë mundësitë dhe jo anasjelltas, tha mes tjerash ai.
"Më lejoni të përfundoj me një premtim të thjeshtë: Do të na matni me kilometrat e përfunduara, jo me fjalët e harxhuara. Themeli i sotëm është një simbol i asaj politike – politikë e veprave, e jo e frazave boshe. Faleminderit. Qoftë me fat dhe vija e drejtë të na çojë drejt sukseseve të reja!", ka thënë Mexhiti.