• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mexhiti: BDI po shndërrohet në diçka që edhe ne që jemi që në fillim nuk mund ta njohim

Mexhiti: BDI po shndërrohet në diçka që edhe ne që jemi që në fillim nuk mund ta njohim

Shkup, 21 mars 2023 (MIA) - BDI po shndërrohet në diçka që edhe ne që jemi nga fillimi nuk mund ta njohim. Nuk  prisnim që  edhe kryetari do t'i nënshtrohej një ndikimi të tillë, theksoi udhëheqësi i të ashtuquajturit grupi i zjarrit, deputeti nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti, në emisionin e sontëm në "Tema na denot”, që  transmetohet pas lajmeve të mbrëmjes në televizionin “Sitel”.

Lidhur me pyetjen  nëse kjo betejë në BDI po bëhet për atë se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i BDI-së dhe do ta trashëgojë Ali Ahmetin, ai tha se në asnjë rast nuk është biseduar për një gjë të tillë.

"Dhe brenda në debatin që kemi bërë në kryesi, në media, në takime, gjatë gjithë kohës kemi theksuar se nuk kemi asnjë problem me liderin Ahmeti, por kemi problem me vendimin e tij për  zgjedhjen  e kësaj përbërje qeveritare që mendojmë se nuk është përbërja më e mirë që mund Bashkimi Demokratik për Integrim të ofrojë", theksoi Mexhiti.

Mundësinë për zgjedhje të parakohshme e vlerësoi si të panevojshme dhe tha se tani janë të fokusuar në luftën e brendshme në BDI sepse, siç tha, duan të korrigjohen para se t'i korrigjojë populli.

Mexhiti theksoi se Grubi dhe Osmani edhe krahas kësaj që kanë pozita të tjera duan të mburren me gjëra të tjera dhe reklamohen me infrastrukturën rrugore. Ai përkujtoi se ata pesë vjet nuk kanë mundur ta përfundojnë rrugën në Bllacë dhe tha se e njëjta gjë po ndodh edhe me rrugën Kërçovë-Strugë, e cila është pjesë e Korridorit 8. 

 "Si  t'u besojmë njerëzve të njëjtë të cilët pesë vjet nuk kanë mundur ta ndërtojnë rrugën Shkup-Bllacë prej 14 kilometrash, ndërsa tani flasin për Korridorin 8", tha ai.

Në pyetjen nëse do të priste që të shkarkohet nga funksioni i nënkryetarit të partisë, Mexhiti tha se tashmë gjithçka mund të pritet. 

 Lidhur me koalicionet e mundshme në të ardhmen, duke pasur parasysh atë se në mandatin e fundit, siç theksoi, kushdo me këdo ka  mundur të bëjë koalicion, duke përmendur shembullin e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët që arritën të hyjnë në koalicion edhe pse më parë ishin në pozicione të mprehta. Mexhiti ka dhënë dritë të gjelbër për bashkëpunim të mundshëm edhe me partitë e tjera të cilat për momentin janë në opozitë.

Ai i ka komentuar edhe rezultatet e sondazhit të fundit, në të cilin  me popullaritet Mexhiti ndodhet në vendin e tretë pas Ali Ahmetit dhe Arben Taravarit, ndërsa zëvendëskryeministri Artan Grubi është krejtësisht në anën e kundërt, gjegjësisht kryeson me jopopullaritet te popullata shqiptare, duke thënë se kjo po ndodh edhe krahas fuqisë që i është dhënë Grubit në parti dhe në përgjithësi në shtet. 

 "Mendoj se në politikë vlen derisa ke vota, derisa ke besim. Në këtë rast bëhet fjalë për një njeri që nuk ka kurrfarë besimi dhe me këtë  e dëmton imazhin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të liderit Ahmeti", theksoi Mexhiti.

Si shpjegim për burimin e problemeve të tanishme brenda partisë,  sqaroi se ato datojnë që nga formimi i Qeverisë në vitin 2020 dhe theksoi se Grubi dhe të tjerët nuk janë legjitimuar gjatë zgjedhjeve dhe nuk kanë kaluar nëpër organet dhe filtrat e partisë të Këshillit Qendror të partisë. ar/

 Foto: Fejsbuk (TV Sitel)

 

QËNDRONI TË LIDHUR