Azir Aliu propozohet për ministër të ri të Shëndetësisë, Arben Fetai në kryesinë e VLEN-it dhe zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë
- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN sot para fillimit të Kryesisë Qendrore të VLEN-it paralajmëroi se në seancën e sontme, Arben Fetai do të përfshihet në udhëheqësinë e VLEN-it dhe do të mbetet zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë, ndërsa Azir Aliu do të jetë propozimi i tyre për ministër të ri të Shëndetësisë pas dorëheqjes së Arben Taravarit dhe vendimit të tij për të kaluar në opozitë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 20:38, 26 maj, 2025
Shkup, 26 maj 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN sot para fillimit të Kryesisë Qendrore të VLEN-it paralajmëroi se në seancën e sontme, Arben Fetai do të përfshihet në udhëheqësinë e VLEN-it dhe do të mbetet zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë, ndërsa Azir Aliu do të jetë propozimi i tyre për ministër të ri të Shëndetësisë pas dorëheqjes së Arben Taravarit dhe vendimit të tij për të kaluar në opozitë.
"VLEN është i kompletuar, sonte do të përfshihen edhe 10 anëtarë nga Aleanca e Shqiptarëve në krye me Arben Fetain në kryesinë e VLEN-it. Gjithashtu është përcaktuar ata do të jenë pjesë e kryesisë së VLEN-it, që do të thotë se ne do të vazhdojmë betejën për zgjedhjet lokale, betejën për një fitore të re. Në të njëjtën kohë, Fetai mbetet zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë, ndërsa VLEN-i propozon që Azir Aliu të jetë ministër i Shëndetësisë. Për pozicionet e tjera në Qeveri do të vendos VLEN-i në ditët në vijim dhe ju do të informoheni me kohë", tha Mexhiti.
Ai tha se propozimi i tyre për ministër të Shëndetësisë këto ditë do t’i dorëzohet kryeministrit Hristijan Mickoski.
"E kemi biseduar, këto ditë do ta propozojmë edhe zyrtarisht", tha Mexhiti në pyetjen e gazetarëve nëse deri më tani është biseduar me kryetarin e Qeverisë për këtë propozim.
Azir Aliu është ish-ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe është pjesë e Aleancës për Shqiptarët e cila mbetet në koalicionin "Vlen".
Paraprakisht sot nga VLEN-i lëshuan në kumtesë në të cilën e përshëndetën vendimin e anëtarëve të ASh-së që zgjodhën t'u bashkoheshin atyre, duke e vlerësuar atë si një akt përgjegjësie qytetare, një kontribut të vlefshëm në procesin e transformimit të thellë që, siç thuhet, ata e kanë filluar së bashku.
"Në një kohë kur interesat personale dhe pazarllëqet me dyer të mbyllura po përpiqeshin të deformonin vullnetin e 107,000 votuesve shqiptarë, këta përfaqësues treguan se integriteti politik nuk mund të blihet ose të tjetërsohet. Deputetë, ministra, drejtorë, funksionarë të lartë të partisë, drejtues të degëve, drejtues të forumeve rinore dhe forumeve të grave, aktivistë nga të gjitha rajonet artikulojnë qartë dhe pa mëdyshje se nuk janë me klanin dhe planin e Ali Ahmetit, por me qytetarët, me shpresën dhe me projektin për ndryshim", thuhet në kumtesë... Filluam një proces të pakthyeshëm për të sjellë shpresën aty ku ishte shuar, për t'u dhënë zë atyre që u injoruan dhe për ta kthyer shtetin në shërbim të qytetarit. Mirë se vini në shtëpinë e përbashkët të ndryshimit!", qëndron në kumtesë.
Zëvendëskryeministri Fetai, i cili është pjesë e koalicionit "Vlen", i shoqëruar nga ish-ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, dje në një konferencë për shtyp njoftoi zyrtarisht se ai mbetet pjesë e Qeverisë.
Kryetari i njërit prej krahëve të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, reagoi në profilin e tij në Fejsbuk pas konferencës për shtyp të zëvendëskryeministrit Fetai dhe, siç thotë, grupit të tij prej më pak se 40 persona, pas vendimit që Aleanca për Shqiptarët të jetë pjesë e Qeverisë.
Taravari në postim thekson se ish-bashkëpartiakët ndiejnë një përzierje ankthi dhe faji, ndërsa i përkujtoi edhe në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tetor, të cilat, siç thotë, do të fitojë.
Foto: Arkivi i MIA-s