Mexhiti: Angazhimi jonë ndaj arsimit është prioritet i përditshëm, investojmë në arsim cilësor
- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti, vizitoi Shkollën fillore "Kongresi i Manastirit" me rastin e fillimit të vitit shkollor.
- Post By Fami Bajrami
- 13:48, 1 shtator, 2025
Shkup, 1 shtator 2025 (MIA)- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti, vizitoi Shkollën fillore "Kongresi i Manastirit" me rastin e fillimit të vitit shkollor.
Mexhiti, para punonjësve arsimorë dhe nxënësve të kësaj shkolle tha se hapi i parë drejt arsimit evropian në Çair, po fillon nga Sh.F. “Kongresi i Manastirit” ku nga sot filloi zbatimi i mësimit në një ndrim të vetëm.
"Sot në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor, hedhim hapin e parë konkret drejt një Çairi evropian në arsim: fillojmë mësimin në një ndërrim në SHF 'Kongres i Manastirit'. Ky nuk është vetëm një paralajmërim, ky është realizim. Është dëshmi se projektet dhe premtimet tona kanë kredibilitet dhe peshë, dhe se ne punojmë seriozisht, me plan dhe me përgjegjësi’, deklaroi Mexhiti.
Ai ka thënë se angazhimi i tyre ndaj arsimit është prioritet i përditshëm.
“Sot e shënojmë fillimin e vitit të ri shkollor. Për nxënësit e klasës së parë, kjo ditë ka kuptim të veçantë, sepse për ta fillon një fazë e re, ku do të hidhen themelet e njohurive dhe formimit të tyre. Për nxënësit e klasave të tjera, ky është një vazhdim i udhëtimit të dijes, një mundësi për përparim të mëtejshëm në njohuri dhe forcim të rezultateve të arritura deri më tani. Shkolla, ndër të tjera është një hapësirë ku fëmijët mësojnë të jenë së bashku, të ndajnë vlerat dhe të zhvillohen si qytetarë të ardhshëm. Për këtë arsye, angazhimi ynë ndaj arsimit është prioritet i përditshëm”, tha ai.
Për fëmijët kjo do të thotë mësim më cilësor, orë interaktive dhe me projekte, më shumë sport dhe kulturë, një ambient i sigurt dhe motivues, shtoi Mexhiti, ndërsa theksoi se për prindërit kjo do të thotë kujdes dhe siguri e garantuar, më pak stres dhe planifikim më i mirë i ditës së punës, komunikim i rregullt dhe transparent me shkollën.
"Për mësimdhënësit kjo do të thotë trajnim për metoda bashkëkohore, përdorim të mjeteve digjitale dhe praktika gjithëpërfshirëse, organizim të qartë të ditës së punës dhe sistem stimulues për rezultate dhe zhvillim profesional", deklaroi Mexhiti.
Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti paralajmëroi se modeli pilot i “Kongresit të Manastirit” do të shtrihet sipas një kalendari të qartë edhe në shkollat tjera, dhe brenda katër viteve Çairi të jetë komunë ku të gjitha shkollat fillore do të funksionojnë me sistem një ndërrim dhe mësim tërëditor.
Foto: MIA