• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Mexhiti: Çdo institucion shëndetësor merr buxhet nga FSSH, por kemi udhëheqësi të dobët

Mexhiti: Çdo institucion shëndetësor merr buxhet nga FSSH, por kemi udhëheqësi të dobët

Shkup, 17 tetor 2023 (MIA) - Jo se nuk ka buxhet në institucionet shëndetësore, por nuk ka rend dhe nuk ka diciplinë. Çdo institucion shëndetësor në Maqedoni merr buxhet nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, por kemi udhëheqësi të dobët të cilën e lëmë të punojë disa vite ndërsa nuk kanë kurrfarë rezultati, theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve në Komisionin Anketues për rastin me Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë.

Mexhiti tha se do të japë gjithçka nga vetja, bashkë me të gjithë qytetarët për ndërtimin e sistemit shëndetësor që t'i ngjajë, siç tha, siç i ka hije në shteti serioz. 

"Me të vërtetë mendojmë për zgjidhje me përgjegjësi të problemeve për pacientët të cilët duhet të udhëtojnë nëpër qytetet tjera në gjendje të vështirë pas terapive të vështira që t'i zgjidhim këto probleme njëherë e përgjithmonë, kjo është më e rëndësishme në shëndetësi", shtoi Mexhiti. 

Në lidhje me mungesën e kuadrit, Mexhiti tha se ministria ka nisma për transformimin e punëtorëve me kontrata të jenë në kohë të pacaktuar.

I pyetur nëse do të japë dorëheqje si akt i përgjegjësisë morale, ministri Mexhiti theksoi se dorëheqja e tij nuk do të kontribuojë asgjë, sepse siç tha, gjërat që kanë ndodhur, kanë ndohur para se ai të merte funksionin.

Përderisa në pyetjen nëse ka pasur presione politike pas të gjithë ngjarjeve me këtë rast, ai tha se nuk ka ndjerë presion dhe se nuk do të lejonte të ndjehet nën presion. 

Ministri Mexhiti, duke u përgjigjur në pyetjen në lidhje me listën pozitive, tha se ajo listë do të përditësohet dy herë në vit. 

"Pesëmbëdhjetë vite dikush nuk ka mundur ta përditësojë listën pozitive. Turp për shtetin, mua më vjen turp si mjek dhe si ministër. Vepruam menjëherë me të gjitha kapacitetet dhe formuam komision profesional, protokolle të qarta, dhe tashmë ajo listë pozitive nuk do të jetë vullneti i ndonjë ministri, ajo do të jetë zgjidhje dhe do të përditësohet dy herë në vit", tha Mexhiti. 

Duke shtuar se 15 vite nuk ka barna në vendin e barnave deficitare, tha se po shqyrtohet vendosja e barnave të cilat nuk kanë implikim financiar. 

"Për mua është shumë i rëndësishëm numri i madh i pacientëve me sëmundje kronike, të cilët më së shumti përdorin terapi të tillë, së pari t'i jepet prioritet terapive të tilla dhe atyre që nuk kanë implikim financiar që të munden qytetarët t'i marrin barnat të cilët i meritojnë", tha Mexhiti. 

Në lidhje me pyetjet rreth terapisë biologjike, ministri Mexhiti tha se për momentin nuk kemi deficit të terapisë biologjike, mund të ketë pritje të vogla por ato po furnizohen. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR