Mesaroviq: Forumi i biznesit mes Maqedonisë dhe Serbisë, kurorëzim i bashkëpunimit intensiv mes dy vendeve
- Ekonomitë e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë janë kompatibile, plotësojnë njëra-tjetrën dhe ka hapësirë për bashkëpunim edhe më të fortë, si në sektorët tradicionalë ashtu edhe në fushat e reja ekonomike. Këtë e tregon rritja prej gati 16 për qind e eksporteve të Serbisë në Maqedoninë e Veriut në nëntë muajt e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha zëvendëskryeministrja e Qeverisë serbe dhe ministrja e Ekonomisë, Andrijana Mesaroviq në hapjen e Forumit të biznesit mes Maqedonisë dhe Serbisë që mbahet sot në Shkup.
- Post By Fami Bajrami
- 14:42, 3 dhjetor, 2025
Shkup, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Ekonomitë e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë janë kompatibile, plotësojnë njëra-tjetrën dhe ka hapësirë për bashkëpunim edhe më të fortë, si në sektorët tradicionalë ashtu edhe në fushat e reja ekonomike. Këtë e tregon rritja prej gati 16 për qind e eksporteve të Serbisë në Maqedoninë e Veriut në nëntë muajt e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha zëvendëskryeministrja e Qeverisë serbe dhe ministrja e Ekonomisë, Andrijana Mesaroviq në hapjen e Forumit të biznesit mes Maqedonisë dhe Serbisë që mbahet sot në Shkup.
Ajo shpjegoi se në nëntë muajt e parë të këtij viti, Serbia në vend ka eksportuar mallra në vlerë më shumë se 804 milionë euro, por edhe se më shumë se 953 kompani me kapital shumicë nga Maqedonia operojnë me sukses në Serbi, kryesisht në tregti, ndërtim, industrinë përpunuese dhe sektorin e TIK-ut.
"Nga viti 2012 deri më sot, investimet nga Maqedonia e Veriut në Serbi kanë arritur në më shumë se 115 milionë euro. Kjo konfirmon se investitorët nga rajoni e njohin stabilitetin, parashikueshmërinë dhe klimën e shkëlqyer të biznesit në vendin tonë. Është e rëndësishme të theksohet se Serbia është sot një vend me një vlerësim kreditor për investime, një nga treguesit më të rëndësishëm ndërkombëtar të stabilitetit makroekonomik dhe besueshmërisë së mjedisit të biznesit. Ky është një mesazh për investitorët se Serbia është një vend i sigurt për të investuar, me rregulla të qarta, financa të qëndrueshme dhe politika ekonomike të përgjegjshme", ka thënë Mesaroviq.
Të dy vendet, theksoi ajo, nxisin dialogun politik aktiv dhe bashkëpunimin praktik, duke vënë në dukje se iniciativa e Ballkanit të Hapur ka dhënë rezultate konkrete si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë.
Duke u bërë thirrje investitorëve të Maqedonisë të investojnë në Serbi, ajo vuri në dukje avantazhet që ofron vendi, siç janë marrëveshjet e tregtisë së lirë me Republikën Popullore të Kinës, Unionin Euroaziatik, Republikën e Turqisë, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe...
"Këto marrëveshje hapin derën për një numër të madh tregjesh nën kushte preferenciale, të cilat u japin produkteve tuaja një avantazh të fortë konkurrues. Prandaj ju bëj thirrje të investoni në Serbi dhe të rrisni potencialin tuaj të eksportit duke përdorur avantazhet unike që ofron Serbia sot", tha Mesaroviq në fjalimin para biznesmenëve.
Ajo shprehu shpresën se forumi i sotëm do të sjellë mundësi të reja, partneritete më të forta dhe do të hapë rrugën për një bashkëpunim edhe më të ngushtë midis sektorëve të biznesit të të dy vendeve.
Foto: MIA