Merc: Për tarifat me SHBA-në anëtaret e BE-së mund të negociojnë vetëm së bashku
- Një luftë doganore i dëmton të gjithë dhe në një luftë të tillë askush nuk është fitues, tha sot kancelari gjerman Fridrih Merc në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta në Bruksel.
- Post By Fami Bajrami
- 12:28, 9 maj, 2025
Bruksel, 9 maj 2025 (MIA) - Një luftë doganore i dëmton të gjithë dhe në një luftë të tillë askush nuk është fitues, tha sot kancelari gjerman Fridrih Merc në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta në Bruksel.
"Përshkallëzimi i mosmarrëveshjes për tarifat nuk është ide e mirë. Gjëja më e mirë do të ishte që ato të reduktohen në zero për gjithçka dhe për të gjithë", ka thënë Merci duke folur për tarifat mbi importet e mallrave të BE-së nga ana e administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Tramp.
Merci ka thënë dje se ka folur në telefon me Trampin, duke e përgëzuar për marrëveshjen tregtare të arritur midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe duke i thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet me shtetet anëtare të BE-së veçmas, pasi ato për tregtinë negociojnë së bashku.
"Përshtypja ime ishte se ai e pranoi këtë dhe tani e di se mund të negociojë vetëm me të gjithë ne së bashku", tha Merci duke shtuar se Trampi e ka ftuar ta vizitojë Uashingtonin.
Ai shton se kur flasim për tarifat, duhet të flasim edhe për njohjen reciproke të standardeve teknologjike e cila është një çështje po aq e rëndësishme sa niveli i tarifave.

Merci shtoi se në bisedën telefonike, Trampi e ka informuar atë edhe për planin e tij për armëpushim 30-ditor për të cilin shprehu mbështetje, duke shtuar se tani është e nevojshme që Rusia të pajtohet për një armëpushim më të gjatë, gjë që do të krijonte hapësirë për arritjen e marrëveshjes së vërtetë paqësore.
“I bëjmë thirrje Rusisë të bashkohet në rrugën drejt një marrëveshje të qëndrueshme dhe nëse kjo nuk ndodh, nuk do të hezitojmë të rrisim presionin përmes sanksioneve së bashku me partnerët tanë evropianë dhe SHBA-në”, ka thënë kancelari gjerman.
Merci theksoi gjithashtu se BE duhet të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në përballjen me agresionin rus, duke theksuar se ai personalisht "rreshtohet fort pas Ukrainës dhe kauzës ukrainase".

Koshta nga ana tjetër theksoi se Gjermania është një partnere shumë e besueshme dhe kontribuon në forcimin e BE-së, duke tejkaluar dallimet dhe duke forcuar unitetin dhe se pret energji të re nga qeveria e re gjermane në përpjekjet për të vazhduar ndërtimin e Unionit.
"Gjermania është shtyllë kyçe e Unionit tonë, ndërsa një Gjermani më e fortë është thelbësore për ekonominë tonë dhe kapacitetin tonë për t'u përballur me sfidat e ndryshme në botë", shton Koshta, duke shprehur shpresë për bashkëpunim të suksesshëm me Mercin në zbatimin e prioriteteve të përbashkëta që lidhen me konkurrueshmërinë, sigurinë dhe migrimin.
Foto: EPA