MEPSO: Mbërriti transformatori i ri 400/110 kV në TS Dubrovë, një investim strategjik për tejkalimin e sfidave në sistemin e transmetimit
- - Në Stacionin Transformator Dubrovë u zhvillua me sukses dorëzimi i transformatorit të ri 400/110 kV. Ky projekt kapital është pjesë e programit më të gjerë për modernizimin, përforcimin dhe zhvillimin e infrastrukturës elektroenergjetike të ShA MEPSO. Pajisja e re do të kontribuojë ndjeshëm në furnizimin më të qëndrueshëm dhe më efikas me energji elektrike për amvisëritë dhe subjektet ekonomike në rajon, duke përmirësuar kushte e tensionit dhe duke rritur besueshmërinë e TS Dubrovë.
- Post By Fitore Curri
- 15:43, 31 korrik, 2025
Shkup, 31 korrik 2025 (MIA) - Në Stacionin Transformator Dubrovë u zhvillua me sukses dorëzimi i transformatorit të ri 400/110 kV. Ky projekt kapital është pjesë e programit më të gjerë për modernizimin, përforcimin dhe zhvillimin e infrastrukturës elektroenergjetike të ShA MEPSO. Pajisja e re do të kontribuojë ndjeshëm në furnizimin më të qëndrueshëm dhe më efikas me energji elektrike për amvisëritë dhe subjektet ekonomike në rajon, duke përmirësuar kushte e tensionit dhe duke rritur besueshmërinë e TS Dubrovë.
Nga SHA MEPSO paralajmërojnë se në ditët në vijim do të fillojë procesi i instalimit dhe integrimit të transformatorit në sistem, me ç’rast po i njëjti do të vihet në funksion.
"TS Dubrovë është një nyjë kyçe energjetike në sistemin elektroenergjetik të Maqedonisë së Veriut, dhe transformatori i ri do të mundësojë funksionimin e pandërprerë të sistemit për 30-40 vitet e ardhshme. Për më tepër, ky investim do të krijojë kushte më të favorshme për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë", thonë nga MEPSO.

Transformatori, shtojnë, është prodhuar nga kompania e njohur Astor nga Turqia, në përputhje me standardet më të larta teknike dhe të sigurisë.
"Me instalimin e këtij transformatori, si dhe të transformatorit në TS Manastir 2, ShA MEPSO përmbyll me sukses dy projekte strategjike që janë të një rëndësie esenciale për stabilizimin e funksionimit në nivelet 400 kV dhe 110 kV. Këto investime kontribuojnë drejtpërdrejt në minimizimin e rreziqeve nga ndërprerjet dhe defektet, si dhe në rritjen e besueshmërisë së sistemit dhe marrjen e pandërprerë të energjisë elektrike nga konsumatorët", theksojnë nga SHA MEPSO. fc/
Foto: SHA MEPSO