• e hënë, 23 dhjetor 2024

Memorandum për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun ndërmjet prokurorive

Memorandum për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun ndërmjet prokurorive

Shkup, 16 maj 2023 (MIA) - Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut Lubomir Joveski, sot në Herceg Novi, të Malit të Zi e firmosi Memorandumin për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me opinionin ndërmjet prokurorive publike nga rajoni, të mbështetur përmes Projektit për ndalimin e krimit të rëndë në Ballkanin Perëndimor - IPA 2019.

Siç njoftoi pasdite PPRMV, me Memorandumin të përgatitur me nismë të Prokurorisë së Lartë Shtetërore të Malit të Zi, parashikohet vendosja e  platformës rajonale të shërbimeve për marrëdhënie me publikun, si mundësi për komunikim dhe këmbim direkt të informatave, por edhe për koordinim gjatë informimit  të publikut për veprimet në lidhje me lëndët tejkufitare.

"Ndërtimi i një qëndrimi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës ndaj publikut është një detyrim për të gjithë ne. Për këto arsye, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdimisht avokon për përmirësimin e marrëdhënieve me publikun", tha Joveski.

Ai vlerësoi se platforma rajonale në të cilën do të përfshihen shërbimet  dhe personat e obliguar për marrëdhënie me opinionin plotësisht do ta lehtësojë këmbimin e informatave ndërmjet prokurorive dhe do të mundësojë përforcimin e transparencës së procedurave.

"Bashkëpunimi ndërmjet prokurorive publike në rajon është i përsosur në shumë fusha. Të ballafaquar me faktin se krimi nuk njeh më kufij dhe gjithnjë e më shumë shkon përtej kornizave tona kombëtare, ne në mënyrë të pashmangshme i drejtohemi bashkëpunimit pothuajse çdo ditë", shtoi ai.

Rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve me publikun e theksuan edhe prokuroritë e tjera shtetërore në rajon, veçanërisht duke pasur parasysh se besimi i publikut në institucionet gjyqësore është i ulët edhe në nivel rajonal.

"Drejtësia jo vetëm duhet të vendoset, por edhe të jetë e dukshme", tha Tatjana Begoviq, u.d. prokurore e lartë shtetërore  e Malit të Zi.

Prokuroria Supreme e Sllovenisë e mbështet këtë bashkëpunim si pjesë e mbështetjes së të gjithë rajonit në realizimin e detyrimeve të kapitujve 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim me BE-në. "Memorandumi demonstron bashkëpunim praktik ndërmjet prokurorive në rajon, i cili është parakusht për anëtarësimin tuaj të ardhshëm në BE", theksoi Prokurori i Përgjithshëm i Sllovenisë, Drago Shketa.

Përveç Prokurorisë së Maqedonisë, memorandumin e nënshkruan edhe Prokuroria e Lartë e Shtetit e Malit të Zi, Prokuroria Publike e Republikës së Serbisë, Prokuroria Supreme e Shtetit e Republikës së Sllovenisë, Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Bosnja e Hercegovinës, Prokuroria Federale e Federatës së Bosnja e Hercegovinës, Zyra e Prokurorisë Publike Republikane të Republikës Sërpska dhe Zyra e Prokurorit të Distriktit Bërçko të Bosnja e Hercegovinës. sa/

Foto: Prokuroria publike

QËNDRONI TË LIDHUR