• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mediat greke për deklaratën e Mickoskit: Provokim i ri nga Maqedonia e Veriut

Mediat greke për deklaratën e Mickoskit: Provokim i ri nga Maqedonia e Veriut

Athinë, 16 maj 2024 (MIA) - Deklarata e sotme e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka shkaktuar reagime në mediat greke, të cilat komentojnë se bëhet fjalë për “provokim të ri nga Maqedonia e Veriut”, se kryeministri i ardhshëm “ndjek linjën e presidentes Siljanovska”, ndërsa lajmi sonte është një nga temat boshte në edicionet onlajn të mediave, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

“Maqedonia e Veriut: Provokues kryetari i VMRO-së – Do ta quaj vendin tim si të dua, nëse nuk ju pëlqen të shkoni në Hagë”; “Pas Siljanovskës provokon edhe Mickoski: Vendin tim do ta quaj Maqedoni, po të doni shkojmë në Hagë”; “Hristijan Mickoski: Është e drejta ime ta quaj vendin tim Maqedoni – deklarata provokuese të liderit të VMRO-së”; Maqedonia e Veriut: Vendin tim do ta quaj si të dua, thotë kryetari i VMRO-së; “Maqedonia e Veriut: provokim i ri nga kryeministri: Do ta quaj vendim tim si të dua”, janë disa nga titujt në mediat greke të cilat kryesisht transmetojnë tekstin e agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA.

Në tekstin me titull “Maqedonia e Veriut: Edhe lideri i VMRO-së insiston në termin “Maqedoni”; ANA-MPA transmeton deklaratën e Mickoskit dhe qëndrimin se “nëse Greqia konsideron se po shkelim Marrëveshjen e Prespës le t'i drejtohen Gjykatës ndërkombëtare”.

"Pas qëndrimit provokues të presidentes së Maqedonisë së Veriut dhe kryetarit të së djathtës radikale VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, i cili siç duket do të jetë kryeministri i ri i vendit mban të njëjtën linjë, duke shkelur Marrëveshjen e Prespës, komenton portali informativ “In”.

Në vazhdim, duke iu referuar deklaratës së Mickoskit të publikuar në MIA, shkruan se përcjell qëndrimin e liderit të VMRO-së se “nëse Greqia konsideron se po shkelim Marrëveshjen e Prespës, ekziston Gjykata ndërkombëtare”.

Edicioni onlajn i gazetës “To Vima” komenton se “Mickoski nuk sheh shkelje të Marrëveshjes së Prespës” dhe transmeton në detaje deklaratat e kryetarit të VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit të ardhshëm.

Paralelisht, mediat në Greqi citojnë edhe qëndrimin e Mickoskit se pret të shihet me kryeministrin grek Kiriakos Micotakis.

 

QËNDRONI TË LIDHUR