• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Mecolla: Sfida kryesore është de-përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme

Mecolla: Sfida kryesore është de-përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme

Bruksel, 17 prill 2024 (MIA) -  Pas sulmeve të paprecedentë iraniane ndaj Izraelit, tani jemi përballë sfidës se si të de-përshkallëzojmë situatën në Lindjen e Mesme, tha sonte kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecolla duke arritur në Samitin e Posaçëm dyditor të Unionit në Bruksel.

"Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për një armëpushim të përhershëm në Gaza dhe lirimin e pengjeve, në mënyrë që të mundësojmë shpërndarjen e ndihmave humanitare shumë të nevojshme për popullatën civile të uritur në Gaza", tha Mecolla.

Mecolla shtoi gjithashtu se BE-ja nuk duhet të heqë dorë nga dhënia e ndihmës për Ukrainën, e cila, siç tha ajo, ka nevojë për sasi më të mëdha të mbrojtjes kundërajrore dhe municioneve.

"Duhet të jemi më të shpejtë në furnizimin e pajisjeve në mënyrë që ata të mbrohen. Ata na kërkojnë ndihmë dhe ne duhet të jemi të gatshëm t'ua japim atë ndihmë", tha Mecolla.

Sa i përket konkurrencës evropiane, sipas Mecollës, në Samit do të diskutohet për unionin energjetik, unionin e mbrojtjes, unionin e tregut të kapitalit, unionin e shëndetësisë...

"Mesazhi ynë është që të mos harrojmë se ajo që na duhet realisht është Bashkimi Evropian dhe tregu i vetëm, të cilat funksionojnë për të gjithë në çdo vend anëtar", tha Mecolla, ndërsa falënderoi kryetarin e Institutit  "Zhak Delor" dhe ish kryeministrin italian Enriko Leta për përgatitjen e Raportit për të ardhmen e tregut të vetëm evropian, i cili do të diskutohet në vazhdimin e nesërm të Samitit.

Duke theksuar se ky është samiti i fundit i planifikuar i BE-së përpara zgjedhjeve për anëtarë të Parlamentit Evropian në qershor, Mecolla tha se do t'u bëjë thirrje krerëve të shteteve ose qeverive të anëtarëve të Unionit që t'i bashkohen fushatës për të inkurajuar votuesit, veçanërisht të rinjtë, të marrin pjesë në eurozgjedhjet.

Lidhur me informacionin për Rusinë që përpiqet të ndërhyjë në procesin zgjedhor, Mecolla theksoi se Parlamenti Evropian do të punojë me të gjitha institucionet dhe vendet anëtare të BE-së për të siguruar që zgjedhjet dhe institucionet demokratike të mos ekspozohen ndaj ndërhyrjeve të huaja.

"Tani po hyjmë në një periudhë aktive të fushatës dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm", shtoi Mecolla. sa/

Foto: ENR

QËNDRONI TË LIDHUR