• e hënë, 23 dhjetor 2024

Me grant nga BE-ja do të formohet Qendër Nacionale për internet më të sigurt - MkSafeNet, në fokus të sigurisë së rinisë

Me grant nga BE-ja do të formohet Qendër Nacionale për internet më të sigurt - MkSafeNet, në fokus të sigurisë së rinisë

Shkup, 15 gusht 2024 (MIA) - Marrëveshje për grant me Bashkimin Evropian për themelimin e Qendrës së parë nacionale për internet më të sigurt - MkSafeNet, është nënshkruar sot nga ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në BE info House, në prani të Ambasadorit Evropian Dejvid Gir dhe partnerëve të projektit.

Ministri Andonovski theksoi se me fillimin e projektit shënohet hapi ynë i vendosur drejt krijimit më të sigurt të hapësirës digjitale për të gjithë qytetarët e shtetit, ndërsa veçanërisht për më të rinjtë.

MkSafeNet do të zbatohet gjatë 18 muajve të ardhshëm dhe do të përfshijë një studim me një plan veprimi për detyrimet specifike të secilit prej palëve të interesuara, krijimin e një Qendre për rritjen e ndërgjegjësimit për kërcënimet e internetit, një linjë telefonike për ndihmë (helpline), një panel rinor dhe një bord këshillues. Projekti është plotësisht në përputhje me EU Digital Services Act  dhe strategjinë e Better Internet for Kids (BIK+), që e afron më tej vendin me standardet evropiane në sferën digjitale.

"Vizioni i Qeverisë është krijimi i një shoqërie digjitale ku çdo qytetar, pavarësisht moshës, prejardhjes apo aftësive, do të jetë në gjendje të përdorë në mënyrë të sigurt dhe efektive përfitimet e teknologjive moderne. Është një investim në të ardhmen tonë digjitale, vendimtar për zhvillimin tonë ekonomik dhe për krijimin e një fuqie punëtore të kualifikuar për epokën digjitale", tha Andonovski, duke folur për rëndësinë e projektit MkSafeNet.

Një pjesë e mjeteve për projektin në vlerë prej 673,354 euro janë siguruar nga Programi Evropa Digjitale, i cili parasheh gjithsej 7.5 miliardë euro në nivel të gjithë Bashkimit Evropian, ndërsa pjesa tjetër bashkëfinancohet nga Qeveria në shumë prej 10.788.800 denarë për vitin 2025 dhe 2026.

Në pyetjen e një gazetari se sa do të përfshihet lufta kundër dezinformatave në projekt, duke qenë se interneti është një nga vendet ku plasohen, ministri Andonovski theksoi se do të jetë një nga aktivitetet e projektit dhe se me Studim të fizibilitetit, i cili është elementi i parë i projektit, do të dihen saktësisht aktivitetet dhe palët e interesuara që do të jenë në krye të kësaj teme të rëndësishme.

Ai konsideroi se është shqetësuese që nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për gjendjen me të rinjtë në internet.

"Informacionet vijnë vetëm nga institucionet ku një i ri do të denoncojë se ka pasur një kërcënim të caktuar apo ndonjë ngjarje penalo-juridike dhe kjo ndodh duke denoncuar në MPB. Përveç atij informacioni nga Ministria e Punëve të Brendshme, ne nuk kemi të dhëna të sakta se me ç'farë dhune në internet apo keqpërdorim kibernetik përballen të rinjtë. Pra, një element i këtij projekti do të jetë të zbulohet se si është situata në krahasim me vendet tjera", thotë Andonovski.

Ai shtoi se prindërit do të përfshihen në projektin përmes shkollave ku fëmijët kalojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre. Për trajnimin e tyre janë planifikuar module onlajn përmes të cilave ata do të mësojnë se si të reagojnë në rast të keqtrajtimit kibernetik të fëmijëve të tyre. Sa i përket qëndrueshmërisë së projektit, ai theksoi se Qeveria do të bëjë të pamundurën për të vazhduar edhe më tej nëse jep rezultatet e pritura. sa/

Foto: Ministria e Transformimit Digjital

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR