Mbrojtja e të dhënave personale, kyçe për të drejtat e individëve dhe zhvillimin e sistemit gjyqësor
- E drejta e privatësisë dhe mbrojtja e të dhënave personale janë të drejta themelore të çdo individi, të cilat duhet të mbrohen dhe respektohen në të gjitha sferat e jetës, përfshirë edhe sistemin gjyqësor, është konstatuar në aktivitetin “Korniza ligjore e BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e privatësisë në gjyqësor” të organizuar nga Qendra për hulumtime juridike, Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve publikë dhe Shoqata maqedonase e juristëve të rinj.
- Post By Fami Bajrami
- 12:13, 28 janar, 2025
Shkup, 28 janar 2025 (MIA) - E drejta e privatësisë dhe mbrojtja e të dhënave personale janë të drejta themelore të çdo individi, të cilat duhet të mbrohen dhe respektohen në të gjitha sferat e jetës, përfshirë edhe sistemin gjyqësor, është konstatuar në aktivitetin “Korniza ligjore e BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e privatësisë në gjyqësor” të organizuar nga Qendra për hulumtime juridike, Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve publikë dhe Shoqata maqedonase e juristëve të rinj.
Me rastin e Ditës evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale, ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov në fjalimin e tij në këtë aktivitet, siç kanë bërë të ditur nga Ministria e Drejtësisë, theksoi se sistemi gjyqësor është një nga fushat më të ndjeshme sa i përket përpunimit të të dhënave personale.
"Në procesin e zhvillimit të procedurave dhe hetimeve gjyqësore, shpesh përpunohen të dhëna sensitive që mund të kenë implikime serioze për të drejtat dhe liritë e individëve. Prandaj është me rëndësi të sigurohet që çdo përpunim i këtyre të dhënave do të kryhet në nivelin më të lartë të mbrojtjes dhe respektimit të privatësisë. Të dhënat personale janë komponentë bazë e së drejtës së privatësisë e garantuar me Kushtetutë dhe dokumente ndërkombëtare. Mbrojtja e këtyre të dhënave është jo vetëm një imperativ ligjor, por edhe etik që mbron qytetarët nga keqpërdorimi. Detyra e shtetit është të sigurojë siguri juridike për të gjithë qytetarët duke krijuar një kornizë të qëndrueshme ligjore që garanton mbrojtjen e privatësisë dhe integritetin e të dhënave personale në të gjitha sferat e jetës", ka thënë ministri Fillkov.
Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se Republika e Maqedonisë së Veriut po punon në mënyrë aktive në harmonizimin e legjislacionit të saj me rregullat evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së lartë të privatësisë së qytetarëve.
"Për mbrojtjen e suksesshme të të dhënave personale kërkohet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, si dhe shkëmbimi i njohurive për mbrojtjen e të dhënave personale do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimin e përvojave që do të kontribuojnë në harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit me standardet evropiane", theksohet në komunikatë.
Ngjarja është organizuar si pjesë e projektit të BE-së "Drejtësi efektive për mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtën e privatësisë në hapësirën onlajn".
Foto: Ministria e Drejtësisë