Mbrojtja dhe Prokuroria me qëndrime të kundërta për gjendjen psikike të Shteklit, Gjykata do të vendosë nëse do të ketë superekspertizë
- – Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot përfundoi marrja në pyetje e ekspertëve nga Prokuroria në rastin “Shtekli”. Këshilli Gjyqësor paralajmëroi se do t’i shqyrtojë të gjitha dëshmitë dhe do të marrë vendim në seancën e ardhshme gjyqësore, të caktuar për më 13 tetor të vitit 2025. Nga rezultati do të varet nëse lënda do të jepet në superekspertizë ose do të vazhdojë debati kryesor.
- Post By Fitore Curri
- 15:15, 9 tetor, 2025
Shkup, 9 tetor 2025 (MIA) – Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot përfundoi marrja në pyetje e ekspertëve nga Prokuroria në rastin “Shtekli”. Këshilli Gjyqësor paralajmëroi se do t’i shqyrtojë të gjitha dëshmitë dhe do të marrë vendim në seancën e ardhshme gjyqësore, të caktuar për më 13 tetor të vitit 2025. Nga rezultati do të varet nëse lënda do të jepet në superekspertizë ose do të vazhdojë debati kryesor.
Dëshmitë kishin të bënin me gjendjen psikike të të akuzuarit Rade Trajkovski Shtekli. Mbrojtja përmes dëshmive thoshte se ai është psikotik dhe nuk është në gjendje ta ndjekë debatin kryesor, përderisa, Prokuroria përmes dëshmive thotë se ai është në gjendje të mirë shëndetësore.
Në seancën e sotme për rastin “Shtekli”, para gjykatës dëshmoi ekspertja Olivera Popovska, e punësuar në Spitalin Psikiatrik Shkup. Ajo u morr në pyetje nga ana e avokatit Sashko Dukovski, avokat i të akuzuarit Rade Shtekli, përmes pyetjeve të tërthorta.
Popovska në dëshminë e saj para Prokurorisë deklaroi se Shtekli është në gjendje të mirë psikike, edhe krahas të dhënave për “të menduarit magjik”, që sipas saj nuk përfaqëson tregues për halucinacione. Ajo shtoi se te ai nuk mund të diagnostikohet skizofreni, por vërehen disa karakteristika të disocialitetit dhe tipareve skizotipike, të cilat nuk i plotësojnë të gjitha kriteret për çrregullim skizotipik
Avokati Dukovski ashpër reagoi për të dhënat, duke e quajtur dëshmi të palejuar. Sipas tij, pas hyrjes në fuqi të aktakuzës, nuk është lejuar dhënie e urdhrave për dëshmi të reja nga ana e përfaqësuesit të akuzës, sipas nenit 246 të Ligjit për procedurë penale. Ai theksoi se vetëm Këshilli Gjyqësor mund të miratojë një propozim të tillë, ndërsa mbrojtja ka të drejtë të kundërshtojë.
Pas marrjes në pyetje, kryetari i Këshillit Gjyqësor, gjykatësi Ilia Tërpkov, paralajmëroi se Gjykata edhe një herë do t’i shqyrtojë të dy dëshmitë.
“Do të marrim vendim në gjykimin e ardhshëm dhe varësisht vendimit si do të jetë ose do ta japim lëndën në superekspertizë ose do të vazhdojmë me punë”, tha ai.
Debati kryesor vazhdon më 13 tetor.
Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, përfshin gjithsej 10 persona, pas një hetimi pothuajse njëvjeçar në të cilin u aplikuan masa të posaçme hetimore. Fillimisht, u përfshinë 16 persona, shtatë prej të cilëve tashmë kanë lidhur marrëveshje pranimi të fajësisë dhe kanë marrë dënime me burgim nga 3 deri në 3,5 vjet.
Katër të akuzuar – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branislav Zajkov – gjithashtu paraqitën deklaratë për fajësi, pas çka Gjykata mori vendim për ndarjen e procedurës penale.
Sipas Prokurorisë, grupi ishte i organizuar mirë, me role të përcaktuara qartë - nga sigurimi deri te shitja e kokainës dhe marihuanës. Droga ruhej në apartamente me qira dhe shitej me çmime që varionin nga 4,500 deri në 6,000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri në 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi zhvillohej përmes aplikacionit Snapchat, ndërsa provat kryesore u siguruan përmes sistemit të analizës së telefonave celularë "Cellebrite", donacion nga SHBA. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s