• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mbrojtësi i shoferit të autobusit në rastin "Llaskarca" në fjalën përmbyllëse kërkoi aktvendim lirues

Mbrojtësi i shoferit të autobusit në rastin

Shkup, 26 dhjetor 2023 (MIA) - Avokati Lupço Micevski, mbrojtësi i të akuzuarit Manoil Trifunovski, shoferi i autobusit në të cilin ndodhi aksidenti në Llaskarcë në fjalët e tij përmbyllëse kërkoi aktvendim lirues.

Në Gjykatën Themelore Penale Shkup, avokati Micevski shpjegoi pse mendon se i akuzuari Manoil Trifunovski nuk e ka kryer veprën.

"Mendoj se nuk ka asnjë dëshmi se shoferi Manoil e ka ditur se ky autobus ka pasur parregullsi në sistemin e frenimit dhe drejtimit dhe se e ka ditur që në të dy kontrollimet teknike nuk është dhënë konfirmim për parregullsi teknik në këtë autobus", tha avokati.

Ai ka theksuar se hera e fundit që shoferi e ka vozitur këtë autobus para aksidentit ka qenë 80 ditë më parë dhe me këtë, sipas tij, mund të konstatohet se shoferi nuk ka mundur ta dijë se ky autobus ka pasur parregullsi teknike.

Ai theksoi se shoferi Manoil nuk mund të kishte ditur për shumicën e parregullsive teknike të autobusit, sepse, siç tha ai, nuk ishte i obliguar të drejtonte të njëjtin autobus gjatë gjithë kohës.

Dëshmia më e madhe se te shoferi nuk ka pasur mungesë koncentrimi, sipas avokatit, është fotografia e ekspertizës e cila tregon se timoni pas aksidentit është gjetur në pozitën e kthyer në të djathtë, që, siç thotë ai, tregon se shoferi ka reaguar dhe ka bërë përpjekje ta shmangë aksidentin.

Avokati theksoi se prokurori publik nuk ka dëshmuar se i pandehuri e ka kryer veprën për të cilën akuzohej përtej dyshimit të arsyeshëm dhe kërkoi aktvendim lirues.

Trifunovski, i cili u mbrojt në heshtje gjatë këtij procesi, u pajtua me fjalët përmbyllëse të mbrojtësit të tij dhe nuk shtoi asgjë.

Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot fjalë përmbyllëse dha edhe mbrojtja e të akuzuarit të pestë Jane Bovarovski. Siaps avokates Ivanka Jakimovska, mbrojtësja e Bovarskit, në procedurën dëshmuese nuk është konfirmuar as motivi dhe as qëllimi, dhe më së paku, siç tha ai, paramendimi i veprave që i ngarkohen të pandehurit të pestë.

Fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe i akuzuari Jane Bovarovski, i cili ka thënë se aktakuza është shkruar pa prova të forta, siç tha ai, "me shumë gjëra famëkeqe të vënë në provë pa u dëshmuar".

Paraprakisht sot, mbrojtja e të akuzuarit të katërt, Goran Dukovski, gjithashtu, ka dhënë fjalën përmbyllëse në të cilën avokati Sasho Dukovski ka kërkuar aktgjykim, me të cilin i akuzuari i katërt do të lirohet nga akuza.

Në seancat e kaluara gjyqësore, fjalë përfundimtare dhanë mbrojtja e të akuzuarit të parë Durmish Beluli, të akuzuarit të dytë Remzi Miftari dhe të akuzuarit të tretë Igor Gjorgjievski të cilët, gjithashtu, kërkuan lirim duke thënë se nuk janë dëshmuar veprat për të cilat akuzohen.  

Prokurori publik, Darko Jakimovski kërkoi dënimin më të rreptë për të akuzuarit për aksidentin e autobusit që ndodhi në vitin 2019 në afërsi të Llaskarcës. Sipas tij,  te të gjithë të akuzuarit ka pasur pamaturi në veprimet dhe ka qenë vetëm çështje kohe mbi çfarë baze, siç tha "kaosi i punës mund të rezultojë  me pasoja të tilla apo të ngjashme". 

Dënim më të rreptë atëherë kërkuan edhe të dëmtuarit, prindërit dhe të afërmit e të vdekurve në aksidentin e komunikacionit. 

Të akuzuar për aksidentin në afërsi të Llaskarcës, që ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019, janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë "Durmo Turs", përgjegjësi për transportin në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për kryerjen e veprave të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërsa, tre punonjësit në stacionin e kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Bukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për bashkëpjesëmarrje në të njëjtën vepër. 

Sipas nenit 300 paragrafi 2 nga Kodi Penal për të cilin akuzohen të dyshuarit, dënimi me burg është së paku katër vjet.  

 Procesin e udhëheqë gjykatësja Diana Gruevska Ilievska.  sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR