MBPEU: Nëse ka pasur aq buxhet sa pretendon LSDM, pse ish-ministri la detyrime të papaguara ndaj bujqve?
- LSDM sot përmes një konference për shtyp u lavdërua me një buxhet të jashtëzakonshëm në vitin 2023, por i përkujtojmë se qeveria e saj ka lënë subvencione të papaguara për një numër të madh bujqish, reagoi pasdite Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU).
- Post By Ajrije Rexhepi
- 18:30, 23 korrik, 2025
Shkup, 23 korrik 2025 (MIA) - LSDM sot përmes një konference për shtyp u lavdërua me një buxhet të jashtëzakonshëm në vitin 2023, por i përkujtojmë se qeveria e saj ka lënë subvencione të papaguara për një numër të madh bujqish, reagoi pasdite Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU).
Sipas MBPEU-së, nuk është hequr kufiri për pagesat direkte dhe kjo është një dëshmi e mëtejshme se LSDM po spekulon me informacione të pasakta.
"Pse heshtin për faktin se mbështetja financiare për bujqit për vitin 2024, e projektuar nga ana e tyre dhe e miratuar më 24.01.2024, ishte vetëm 5,9 miliardë denarë? Në shtator të vitit 2024, me ribalancimin e buxhetit, u siguruan edhe 2 miliardë denarë shtesë pikërisht për pagesën e detyrimeve të papaguara për vitet 2023/2022. Në fund të vitit 2024, u siguruan edhe 1,4 miliardë denarë shtesë, duke e çuar mbështetjen financiare për vitin 2024 në rreth 8,4 miliardë denarë që është shuma më e lartë në vitet e fundit, falë kësaj Qeverie", përkujton MBPEU.
Përmend se mjetet për bujqit nuk janë shkurtuar.
"Gjatë kësaj periudhe, kjo Qeveri ka dëshmuar se kujdeset për bujqit. Deri më tani janë paguar rreth 10 miliardë denarë për detyrime të papaguara dhe aktuale ndaj bujqve. Përmes njoftimeve dhe konferencave për shtyp, LSDM gjithashtu përhap të pavërteta se janë ulur mjetet për Programin për Zhvillim Rural. Me ribalancimin e buxhetit do të sigurohen 480 milionë denarë për Programin për Zhvillim Rural. Dallimi është i qartë, sot bujqësia po ecën në drejtimin e duhur", thekson MBPEU.
Foto: MIA