• e shtunë, 08 mars 2025

MBPEU: Javë e suksesshme e karvanit informativ për Masën 1 të IPARD 3

MBPEU: Javë e suksesshme e karvanit informativ për Masën 1 të IPARD 3

Shkup, 7 mars 2025 (MIA) - Përfaqësuesit e Autoritetit Menaxhues të IPARD – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU), Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (AMFBZHR) dhe Agjencia për Nxitjen e Zhvillimit të Bujqësisë (ANZHB), gjatë javës së kaluar vizituan Bosilevën, Vasilevën, Konçen, Radovishin, Berovën, Vinicën, fshatin Negotinë dhe Gostivarin.

U zhvilluan takime konstruktive me përdorues të interesuar (persona fizikë, juridikë, kooperativa, etj.) që dëshironin të informohen mbi mundësitë, kushtet dhe procedurat e aplikimit në thirrjen publike aktuale, me qëllim shfrytëzimin e fondeve nga Programi.

Përdoruesit e mundshëm të ardhshëm të mjeteve të dedikuara për Masën 1 të IPARD 3 (Programi 2021-2027) treguan interes të madh dhe një qasje proaktive në takime, duke shfrytëzuar mundësinë për të marrë informacione të detajuara, për të parashtruar pyetje dhe për t’u informuar drejtpërdrejt mbi kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në thirrjen publike 01/2025.

Para përdoruesve të interesuar, përfaqësuesit e Autoritetit Menaxhues të IPARD pranë MBPEU prezantuan në detaje Masën 1 të IPARD 3 (Programi 2021-2027). Përfaqësuesit e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural shpjeguan procedurën e detajuar për shfrytëzimin e fondeve të IPARD 3 (Programi 2021-2027) para AMFBZHR-së. Gjatë takimeve, u përgjigjën të gjitha pyetjet, paqartësitë dhe detajet mbi përgatitjen e duhur të dokumentacionit dhe rrjedhën e procedurës së aplikimit, me qëllim që të ndihmohen të gjithë ata që do të aplikojnë të kenë dokumentacion të përgatitur mirë dhe të aplikojnë në kohë.

Thirrja për Masën 1 të Programit IPARD 3 u shpall më 12 shkurt dhe do të zgjasë deri më 29 mars 2025. Në dispozicion janë 7.4 milionë euro, të destinuara për investime në mjete themelore për prodhimin bujqësor.

Qëllimi kryesor i Masës 1 “Investime në mjete themelore të fermave bujqësore” është rritja e efikasitetit, konkurrencës dhe prodhimit të qëndrueshëm bujqësor në sektorin agro-ushqimor. Objektivat specifike të Masës 1 përfshijnë modernizimin dhe ristrukturimin e potencialit material, rritjen e vlerës së prodhimit dhe marketingut, promovimin e një rritjeje të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe përafrimin progresiv me standardet e Bashkimit Evropian, përmirësimin e pozicionit të fermerëve në zinxhirin ushqimor dhe mbështetjen e fermerëve të rinj.

Karvani i Ditëve Informative do të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme, duke përfshirë të gjitha rajonet e vendit, me qëllim që të gjithë të interesuarit të kenë qasje të lehtë në informacionet e nevojshme.

I ftojmë të gjithë përdoruesit e mundshëm të marrin pjesë në takimet informative për t’u informuar më lehtë dhe për të përfituar nga mjetet në dispozicion.

Foto: MIA arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR