• e premte, 05 dhjetor 2025

Mbledhje me përfaqësuesit e lartë të UNOPS-it - Forcim i partneritetit për qeverisje të mirë dhe reforma drejt Bashkimit Evropian

Mbledhje me përfaqësuesit e lartë të UNOPS-it - Forcim i partneritetit për qeverisje të mirë dhe reforma drejt Bashkimit Evropian

Shkup, 9 korrik 2025 (MIA) - Zëvendës kryetari i Qeverisë, i angazhuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, sot realizoi takim me Kirstine Damkjaer, zëvendës-drejtoreshë ekzekutive e UNOPS-it, dhe Tim Lardner, drejtor rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore, në kuadër të vizitës së tyre zyrtare në Maqedoninë e Veriut, si dhe ambasadoren e Zvicrës, Veronik Hulman, dhe Shefin e Departamentit të Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë – Mikael Aterhog.

"Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin e frytshëm në kuadër të projektit “Mbështetje për Integrimin Evropian të Maqedonisë së Veriut”, i cili zbatohet nga UNOPS me mbështetjen e Qeverisë së Suedisë dhe Zvicrës. Projekti përfaqëson një model të suksesshëm të koordinimit ndërmjet partnerëve zhvillimorë dhe institucioneve vendore, duke vendosur qytetarin në qendër të reformave", thuhet në njoftimin e Kabinetit të ZKQRMV-së i angazhuar për politikat e qeverisjes së mirë. 

Zëvendës kryetari i Qeverisë e vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të UNOPS-it, Suedisë dhe Zvicrës, dhe theksoi se qeverisja e mirë, transparenca, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten ndër prioritetet kryesore në procesin e integrimit evropian.

"Jemi të përkushtuar të vazhdojmë punën për ndërtimin e institucioneve të forta, të përgjegjshme dhe të hapura ndaj qytetarëve. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, po ndërmarrim hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së standardeve dhe vlerave evropiane", theksoi zëvendës kryetari i Qeverisë.

Pjesëmarrësit në takim riafirmuan rëndësinë e përforcimit të integritetit institucional dhe sigurimin e rezultateve të prekshme nga reformat për qytetarët, si dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen. qa/

Foto: Kabineti i ZKQRMV-së i angazhuar për qeverisje të mirë

QËNDRONI TË LIDHUR