Mbi gjysmë miliard njerëz në botë me diabet - Maqedonia me pothuajse 141 mijë raste, një e treta mbeten të padiagnostikuara
- Diabeti mbetet një nga sëmundjet kronike me rritjen më të shpejtë të shekullit të 21-të, sipas Botimit të Njëmbëdhjetë të IDF Diabetes Atlas (2025). Sipas të dhënave, në vitin 2024, rreth 589 milionë të rritur jetonin me diabet në nivel global, që përfaqëson 11.1 për qind të popullsisë botërore të moshës 20 deri në 79 vjeç. Në Maqedoni, rreth 141 mijë njerëz jetojnë me diabet, që është 8.9 për qind e të rriturve, ose afërsisht çdo i njëmbëdhjeti qytetar i asaj moshe.
- Post By Fami Bajrami
- 11:54, 14 nëntor, 2025
Shkup, 14 nëntor 2025 (MIA) - Diabeti mbetet një nga sëmundjet kronike me rritjen më të shpejtë të shekullit të 21-të, sipas Botimit të Njëmbëdhjetë të IDF Diabetes Atlas (2025). Sipas të dhënave, në vitin 2024, rreth 589 milionë të rritur jetonin me diabet në nivel global, që përfaqëson 11.1 për qind të popullsisë botërore të moshës 20 deri në 79 vjeç. Në Maqedoni, rreth 141 mijë njerëz jetojnë me diabet, që është 8.9 për qind e të rriturve, ose afërsisht çdo i njëmbëdhjeti qytetar i asaj moshe.
Atlasi tregon se rreth 43 për qind e të gjithë të rriturve me diabet në botë janë të padiagnostikuar. Kjo nënkupton se rreth 252 milionë njerëz jetojnë me diabet pa e ditur për gjendjen e tyre, duke humbur kështu mundësinë për ndërhyrje të hershme dhe parandalim të ndërlikimeve. Përveç kësaj, 635 milionë njerëz kanë tolerancë të dëmtuar ndaj glukozës dhe 488 milionë kanë glukozë të dëmtuar gjatë periudhës kur janë esëll – pra pangrënë - gjendje që rrisin ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Hiperglicemia (nivelet e larta të sheqerit në gjak) gjatë shtatzënisë prek rreth 1 në 5 gra që lindin.
Diabeti është gjithashtu një shkak kryesor i vdekjes së parakohshme. Në vitin 2024, sëmundja është përgjegjëse për më shumë se 3.4 milionë vdekje tek të rriturit e moshës 20 deri në 79 vjeç, që përfaqëson rreth 9.3 për qind të të gjitha vdekjeve globale.
Atlasi tregon se barra ekonomike është gjithashtu e madhe - kostot e drejtpërdrejta shëndetësore të diabetit kanë tejkaluar pragun prej 1 trilion dollarësh amerikanë për herë të parë, duke përfaqësuar rreth 12 për qind të shpenzimeve totale globale për shëndetësinë.
Në botimin e tij të 11-të, Atlasi Global i Diabetit i kushton shumë më tepër vëmendje diabetit të tipit 1 në të gjitha grupmoshat. Globalisht, vlerësohet se 9.1–9.5 milionë njerëz do të jetojnë me diabet të tipit 1 në vitin 2024, nga të cilët rreth 1.9 milionë janë fëmijë dhe adoleshentë nën 20 vjeç. Ndryshe nga sa besohet gjerësisht, shumica e njerëzve me diabet të tipit 1 (rreth 69%) janë të rritur të moshës 20-59 vjeç, jo fëmijë. Evropa ka përqindjen më të lartë të njerëzve me diabet të tipit 1 - rreth 2.7 milionë, duke reflektuar mbijetesë të lartë dhe akses më të mirë në insulinë dhe në kujdes.
Në Maqedoni, 938 vdekje në vit lidhen me diabetin
Sipas vlerësimeve të Atlasit, rreth 141 mijë njerëz jetojnë me diabet në Maqedoni, që përbën 8.9 për qind të të rriturve, ose afërsisht një në njëmbëdhjetë qytetarë. Nga këta, rreth një e treta - afërsisht 47 mijë njerëz - nuk e dinë se e kanë sëmundjen. Prevalenca krahasuese prej 7.4 për qind është pak nën mesataren evropiane prej 8 për qind.
Sipas IDF-së, rreth 2,292 njerëz jetojnë në vend me diabet të tipit 1, kostot vjetore shëndetësore që lidhen me diabetin arrijnë në rreth 134 milionë dollarë amerikanë, ose afërsisht 953 dollarë për pacient, ndërsa vdekshmëria që lidhet me diabetin vlerësohet në rreth 938 raste në vit.

Burimet kombëtare vlerësojnë se 112,000–135,000 njerëz diagnostikohen me diabet, duke përfshirë rreth 4,000 të regjistruar zyrtarisht me diabet të tipit 1, 40,000 me diabet të tipit 2 që marrin insulinë dhe 72,000–80,000 që marrin terapi orale.
Ata theksojnë se insulina është falas për të gjithë njerëzit me diabet, por rimbursimi për ilaçet e tjera është i kufizuar. Pompat e insulinës dhe sistemet CGM janë aktualisht falas vetëm për fëmijët dhe një numër të kufizuar njerëzish me diabet të tipit 1 me ndërlikime serioze si verbëria, dializa dhe amputimet (rreth 330 përdorues të pompave të insulinës dhe 600 përdorues të sistemeve CGM), ndërsa glukometrat dhe shiritat rimbursohen plotësisht vetëm për njerëzit me diabet të tipit 1; për njerëzit me tip 2 që marrin insulinë, aksesi është më kufizues.
Programi Kombëtar i Diabetit dhe sistemi i prokurimit publik financojnë insulinën, glukagonin, gjilpërat, shiritat, pompat dhe sensorët CGM, me një buxhet të planifikuar prej afërsisht 16.1 milion dollarë amerikanë për vitin 2024. Megjithatë, problemet e fundit me tenderimin kanë çuar në mungesa serioze të glukometrave, shiritave, gjilpërave dhe materialeve të konsumueshme të pompave.
Për rezultate më të mira duhet forcimi i regjistrave, akses në monitorimin modern dhe kujdesin multidisiplinor, si dhe aktivizim dhe përditësim i plotë i Strategjisë Kombëtare të Diabetit. Përveç kësaj, një metodologji e re për financimin dhe buxhetimin bazuar në shembuj rajonalë mund të hedhë themelet për një sistem shëndetësor më funksional.
Deri në vitin 2050, shifra mund të arrijë në 853 milionë njerëz, ose 13 për qind të popullsisë së rritur
Të dhënat tregojnë se diabeti po rritet në të gjitha rajonet e IDF-së, por dinamika ndryshon ndjeshëm. Për shembull, në Afrikë (AFR) numri i njerëzve me diabet pritet të rritet me 142% deri në vitin 2050 (nga 25 në 60 milionë) - rritja më e madhe relative. Në Paqësorin Perëndimor (WP), aktualisht ka rreth 215 milionë të rritur me diabet - më shumë se një e treta e të gjitha rasteve globale. Vetëm Kina përbën një në katër të rritur me diabet në botë. Në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut (MENA), afërsisht 1 në 6 të rritur kanë diabet (85 milionë njerëz), prevalenca më e lartë rajonale. Parashikimet tregojnë një rritje prej 92% deri në vitin 2050. Në Evropë (EUR), ka rreth 65.6 milionë raste në vitin 2024, me një parashikim prej 72.4 milionë deri në vitin 2050 - rritja më e vogël relative, por një rritje absolute e rëndësishme. Amerika e Veriut dhe Karaibet (NAC) kanë shpenzimet më të larta shëndetësore të lidhura me diabetin (439 miliardë dollarë amerikanë) - 43% e shpenzimeve globale për diabetin.
Atlasi theskon se deri në vitin 2050, shifra mund të arrijë në 853 milionë njerëz, ose 13 për qind e popullsisë së rritur. Në të gjitha rajonet, shumica e rasteve të reja dhe rritja më e madhe deri në vitin 2050 do të ndodhë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku sistemet shëndetësore janë më pak të pajisura për t'iu përgjigjur sëmundjeve kronike.
Atlasi i Diabetit i Federatës Ndërkombëtare të Diabetit është një mjet global kërkimi dhe avokimi që ofron të dhëna të krahasueshme për 215 vende dhe territore përmes një platforme të re online. Edicioni i njëmbëdhjetë nxjerr në pah prioritetet kryesore në luftën kundër diabetit, duke përfshirë zbulimin e hershëm, parandalimin, forcimin e sistemeve shëndetësore dhe mbrojtjen e grupeve vulnerabël.
Dita Botërore e Diabetit festohet çdo vit më 14 nëntor dhe është fushata më e madhe globale për të rritur ndërgjegjësimin rreth kësaj sëmundjeje kronike. U prezantua nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërsa në vitin 2006 mori statusin zyrtar nga Kombet e Bashkuara. Kjo ditë festohet në nder të ditëlindjes së Sër Frederik Banting, një nga zbuluesit e insulinës dhe synon të informojë rreth parandalimit, diagnozës së hershme dhe terapisë modern të diabetit. Simboli i fushatës është rrethi blu, i cili përfaqëson unitetin në luftën kundër diabetit, ndërsa në Maqedoni organizohen manifestime edukative, matje falas të sheqerit në gjak dhe forume publike për të mbështetur pacientët.
Foto: arkivi i MIA-s