• e premte, 21 mars 2025

Mbi 16.000 shtëpi pa rrymë shkaku i zjarrit në Londër, mbyllet aeroporti Hitrou

Mbi 16.000 shtëpi pa rrymë shkaku i zjarrit në Londër, mbyllet aeroporti Hitrou

Londër, 21 mars 2025 (MIA) - Më shumë se 16.300 shtëpi mbetën pa energji për shkak të ndërprerjes së rrymës, publikoi në X furnizuesi i energjisë "Scottish and Southern Electricity Networks".

Kompania i bëri thirrje të gjithëve të cilët varen nga energjia elektrike për nevoja mjekësore dhe kanë nevojë për ndihmë të lajmërohen.

Aeroporti Hitrou i Londrës kumtoi se do të jetë i mbyllur sot deri në mesnatë pas ndërprerjes së rrymës të shkaktuar nga zjarri në afërsi të trafostacionit që furnizon aeroportin.

"Për të ruajtur sigurinë e udhëtarëve dhe kolegëve tanë, Hitrou do të jetë i mbyllur deri në orën 23:59 të 21 marsit", kumtoi aeroporti Hitrou në X, duke shtuar se udhëtarëve iu rekomandohet të mos vijnë në aeroport.

Nuk ka të dhëna zyrtare për atë se sa fluturime deri dhe prej Hitrous do të anulohen, por Shërbimi i fluturimeve FlightRadar24 vlerëson se mund të ketë të paktën 1.351.

"Ky numër nuk përfshin fluturimet që mund të anulohen ose vonohen, sepse aeroplanët nuk janë në lokacionet e tyre të planifikuara", shtojnë nga Shërbimi.

Të paktën 120 fluturime janë tashmë në rrugë drejt Hitrout dhe do të duhet të riorientohen.

Hitrou është aeroporti më i madh në Mbretërinë e Bashkuar me rreth 1.300 ulje dhe ngritje në ditë. Nëpër terminalet e saj vitin e kaluar kanë kaluar rekord 83,9 milionë udhëtarë.

Ndërkohë, aeroporti londonez Getvik konfirmoi se po ofronte mbështetje duke "pranuar fluturimet e riorientuara siç kërkohet".

"Fluturimet nga Londra Getvik sot po zhvillohen normalisht", thonë nga aeroporti. rq/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR