• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mbarështimi i pakontrolluar po mbush rrugët me qen të pastrehë, është i nevojshëm sistem efektiv i ndëshkimit

Mbarështimi i pakontrolluar po mbush rrugët me qen të pastrehë, është i nevojshëm sistem efektiv i ndëshkimit

Shkup, 24 shtator 2023 (MIA) - Mbarështimi i pakontrolluar po mbush rrugët me qen të pastrehë, ndërsa rregullimi joadekuat ligjor ose sistemi joefektiv i ndëshkimit e vështirëson zgjidhjen e problemit të qenve të rrugës - viktima të pronësisë nga pakujdesia.

Drejtoresha e ndërmarrjes “Lajka”, Radmilla Pesheva në një bisedë për MIA-n ka bërë të ditur se po rritet numri i qenve të braktisur me mikroçipe, të kapur në hapësirë ​​publike pa praninë e pronarit, gjë që sipas saj tregon se sistemi i kontrollit nuk funksionon.

"Aq më shqetësues është fakti se edhe pasi njoftojmë pronarët se qentë e tyre janë kapur dhe dërguar në 'Lajka', ata nuk vijnë t'i marrin gjë që rëndon më shumë kapacitetin e Lajkës. Është i nevojshëm ndryshimi i rregullores ekzistuese në drejtim të kontrollit të shtuar të pronësisë së papërgjegjshme, pra ndryshime ligjore që do të nënkuptojnë kontroll të shtuar në lidhje me regjistrimin dhe identifikimin e kafshëve shtëpiake, mbarështimin e tyre, pra ndalimin e mbarështimit të pakontrolluar, tatimimin e kafshëve shtëpiake të pasterilizuara si dhe marrjen e masave për parandalimin e braktisjes së kafshëve shtëpiake", thotë Pesheva.

Ndërmarrja publike “Lajka” këtë vit që nga gushti ka kapur 803 qen, ka sterilizuar 438 femra dhe kastruar 335 meshkuj. Në të njëjtën periudhë, 508 qen u kthyen në lokacion dhe 241 qen u rivendosën në shtëpi.

Për momentin, ndërmarrja publike ka dy ekipe për kapjen që punojnë me dy automjete. Ndërmarrja ka gjashtë persona të cilët i janë nënshtruar trajnimit. Leje për përdorimin e armëve pneumatike (për qetësim) ka vetëm një person, pra mjeku i mjekësisë veterinare.

Ky kapacitet, sipas Peshevës, nuk është i mjaftueshëm, por edhe nëse do përmirësohej fleksibiliteti i ndërmarrjes, nuk do ta zgjidhte plotësisht problemin e qenve të rrugës. Derisa nuk ndërmerren masa për evidentimin e burimit të problemit, nuk do të ketë zgjidhje të plotë", thotë Pesheva.

Disa nga komunat nuk i përmbushin obligimet e tyre

Pesheva thotë se ndërmarrja nuk ka përkrahje të mjaftueshme nga komunat e Shkupit. Shumica e komunave të Shkupit, thotë ajo, nuk bashkëpunojnë.

"Kemi problem të madh me komunat që janë përgjegjëse dhe kanë nënshkruar marrëveshje me Qytetin e Shkupit, me Lajkën. Ata nuk marrin pjesë në atë që është rënë dakord, nuk paguajnë dhe kështu seriozisht dëmtojnë rëndë buxhetin dhe paratë që planifikojmë të shpenzojmë gjatë vitit. Si ndërmarrje do të ishim më efikas nëse të gjitha komunat i përmbushnin obligimet e tyre", thotë Pesheva.

Ajo thekson se zgjidhje ekziston, por, thotë se nuk ka vullnet politik, përkushtim dhe angazhim nga ana e institucioneve të sistemit.

Përmes vetëdijes deri në mbrojtje më të madhe, problemi i qenve të rrugës buron nga njeriu

Për tejkalimin e problemit me qentë e rrugës, sipas drejtoreshës së “Lajkës”, mungon edukimi, përkatësisht fushata përmes të cilave qytetarët do të ndërgjegjësohen më shumë për problemin që shkaktojnë duke braktisur kafshët shtëpiake.

"Konsiderojmë se ka mungesë edukimi, pra fushata përmes të cilave qytetarët do të ndërgjegjësohen më shumë për atë se sa problem shoqëror shkaktojnë me sjelljet e tyre të papërgjegjshme, por nga ana tjetër mungon edhe një sistem efikas i ndëshkimit ndaj pronarëve të papërgjegjshëm që nënkupton gjoba më të larta dhe jo selektivitet në veprimet e institucioneve kompetente", thekson Pesheva.

Problemi i kafshëve të pastrehë është global. Ka rreth 200 milionë qen endacakë në botë, ndërsa Holanda është vendi i parë që së fundmi zgjidhi plotësisht problemin e kafshëve të pastrehë.

Qeveria holandeze e ka arritur këtë duke futur sterilizimin falas, por të detyrueshëm, ligje me gjoba të larta për braktisjen e një kafshe shtëpiake që parashikojnë të paktën tre vjet burg ose gjobë deri në 16.000 dollarë dhe taksa të larta për blerjen e një kafshe shtëpiake.

Simona Sërbinoska

Foto: MIA

Video: Aslan Vishko

QËNDRONI TË LIDHUR