• e diel, 22 dhjetor 2024

MASH: Të vazhdojë dialogu mes Ministrisë së Financave dhe QSHP-së deri në harmonizimin e plotë të qëndrimeve

MASH: Të vazhdojë dialogu mes Ministrisë së Financave dhe QSHP-së deri në harmonizimin e plotë të qëndrimeve

Shkup, 14 dhjetor 2023 (MIA) - Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) apeloi që të vazhdohet dialogu mes Ministrisë së Financave dhe Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) deri në harmonizimin e plotë të pikëpamjeve të të dyja palëve, gjegjësisht gjetjen e një zgjidhjeje që do të plotësonte kërkesat e QSHP-së, ndërsa implikimet fiskale do të jenë në kuadër të mundësive buxhetore në dispozicion.

"Kujtojmë se me nënshkrimin e marrëveshjes së re të përgjithshme kolektive, edhe të punësuarit në këtë institucion, mes tjerash, nga muaji shtator kanë marrë 10 për qind paga më të larta, kështu që është një konfirmim se te Qeveria ekziston vullnet dhe është vazhdimisht e përkushtuar për avancimin e të drejtave të punëtorëve në administratën publike dhe shtetërore", thonë nga MASH-i.

Ministria e Financave, madje me rastin e grevës së punëtorëve të QSHP-së, në të cilin kërkojnë rritjen e pagave, thotë se Qeveria ka vendosur zgjidhje sistematike që mundëson rritje të vazhdueshme të pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik.

"Respektivisht, të gjithë të punësuarit në administratë, duke përfshirë edhe të punësuarit e Qendrës Shtetërore të Provimeve, kanë statusin e zyrtarit administrativ dhe ushtrojnë të drejtën e pagës në pajtim me Ligjin për nëpunësit administrativ, me të cilin është vendosur sistemi i rritjes së pagave", thonë nga Ministria e Financave. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR