• e premte, 05 dhjetor 2025

Marsh për Palestinën në Shkup: S’ka paqe pa çlirim

Marsh për Palestinën në Shkup: S’ka paqe pa çlirim

Shkup, 18 tetor 2025 (MIA)- Nën moton “S’ka paqe pa çlirim” sot në Shkup u mbajt një marsh protestues në solidaritet me popullin palestinez dhe kundër vazhdimit të okupimit dhe gjenocidit në Gazë. Marshi filloi para monumentit “Simfonia e Paqes” (përballë gjimnazit “Josip Broz Tito”) dhe vazhdoi deri te ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Organizatorët nga iniciativa “Të gjithë për Palestinën” theksuan se kjo protestë është e përqendruar në nevojën për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, të bazuar në liri, drejtësi dhe përgjegjësi — dhe jo në një armëpushim sipërfaqësor që legjitimon okupatorin dhe i mohon të drejtat e popullit palestinez.

Ata kujtuan se ndërprerja e zjarrit nuk e anulon përgjegjësinë për krimet e luftës të kryera dhe nuk e fshin gjenocidin që ka ndodhur në Gazë. “Gjenocidi nuk përfundon me një nënshkrim në letër”, thuhet në deklaratë. “Marrëveshjet e paqes nuk mund të jenë justifikim për mosndëshkim. Qeveritë, përfshirë edhe atë të Maqedonisë, kanë detyrimin ligjor dhe moral ta njohin gjenocidin dhe të veprojnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”

“Palestina është nën okupim tani më 77 vjet. Palestinezët janë viktima të dëbimit të detyruar dhe të pastrimit etnik për 77 vjet, ndërsa dy vitet e fundit janë viktima të gjenocidit më monstruoz në historinë e re të njerëzimit,” deklaruan nga iniciativa. “Para një jave të fuqishmit vendosën për një ‘paqe’ që vetëm e betonoi gjenocidin si mjet për nënshtrim të detyruar dhe pranimin e okupimit. Por nuk ka paqe pa liri

Organizatorët theksuan se një armëpushim i përkohshëm nuk do të thotë fund i vuajtjeve, por shpesh krijon kushte për vazhdimin e dhunës sistematike, të okupimit dhe të shfrytëzimit të tokës dhe burimeve palestineze.

“Të gjithë ne që jemi zgjuar për të vërtetën — se nuk ka liri dhe drejtësi për popujt për sa kohë që kapitalistët vendosin për fatin tonë — nuk do të heshtim përballë gjenocidit dhe okupimit. Populli palestinez duhet të jetë i lirë që ne të jemi vërtet të lirë,” tha një nga folësit. Protesta theksoi se rindërtimi i Gazës duhet të fillojë menjëherë, me prioritet në ndihmën humanitare të menjëhershme dhe të pakufizuar për popullsinë që po mbijeton në kushte urie, pastrehe dhe sëmundjesh. Iniciativa nënvizoi se qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare kanë detyrimin të sigurojnë hyrjen e pakushtëzuar të ndihmës humanitare dhe se çdo bllokadë apo pengesë ndaj kësaj ndihme përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, organizatorët paralajmëruan se procesi i rindërtimit nuk duhet të kthehet në një projekt fitimprurës për elitat, por duhet të jetë një rindërtim i vërtetë nën drejtimin e vetë popullit palestinez dhe banorëve të Gazës. Rindërtimi është i domosdoshëm dhe urgjent, por duhet të jetë në shërbim të njerëzve – për të rikthyer shtëpitë, shkollat, spitalet dhe dinjitetin e atyre që humbën gjithçka nga bombardimet.

“Nuk mund të ketë paqe mbi themele gjaku dhe rrënojash,” thuhet në deklaratë. 

Kërkesat e protestuesve janë: Qeveria të dënojë gjenocidin në Gaza dhe të veprojë në përputhje me Konventën për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit; Të votojë për solidaritet me popullin palestinez në të gjitha votimet e ardhshme në Kombet e Bashkuara; Ta njohë përsëri shtetin e Palestinës; Të ndërpresë menjëherë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike, kulturore dhe sportive me Izraelin; Të përfshihet në dërgimin e ndihmës humanitare për Gazën; Të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për ndërprerjen e gjenocidit dhe hyrjen e ndihmës në Palestinë; Të arrestojë çdo person të ndjekur për krime lufte që do të paraqitet në territorin e Maqedonisë, në përputhje me detyrimet si anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

QËNDRONI TË LIDHUR