• e hënë, 23 dhjetor 2024

Marrëveshje me kompanitë ajrore "Lufthanza" dhe "Viz Er" për fluturime të subvencionuara drejt Frankfurtit, Luksemburgut, Shtutgartit, Salcburgut dhe Lubjanës (PLT)

Marrëveshje me kompanitë ajrore

Shkup, 13 prill 2023 (MIA) - Me subvencione nga Qeveria, kompania ajrore gjermane "Lufthanza" do ta vendosë një linjë të re ajrore - nga Shkupi në Frankfurt, ndërsa "Viz Er" katër linja - nga Shkupi në Luksemburg, Shtutgart, Salcburg dhe në Lubjanë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoja Boçvarski në konferencë shtypi publikuan se është e suksesshme thirrja për subvencionimin e linjave të reja ajrore që përfundoi më 31 mars dhe se është kontraktuar marrëveshje me "Lufthanzan" dhe "Viz Erin".

"Lufthanza" do të fluturojë nga Shkupi në Frankfurt nga 23 prilli dhjetë herë në javë, ndërsa "Viz Er" për katër destinacionet e reja katër herë në javë nga 1 nëntori i këtij viti.

Mbështetja financiare do të jetë shtatë euro në kundërvlerë denari për një pasagjer në largim i transportuar nga Aeroporti Ndërkombëtar Shkup.

"Transportuesit ajrorë "Lufthanza" dhe "Vizer" do të fluturojnë edhe nga disa herë në ditë nga aeroportet tona. Me transportuesin ajror "Lufthanza" përmes Frankfurtit, qytetarët tanë do të kenë mundësi të lidhen me më shumë se 200 destinacione në më shumë vende në Evropë dhe botë duke e pasur parasysh atë se aeroporti në Franfurt është një prej disa aeroporteve më të mëdha në botë. Unë jam i sigurt se përmes subvencionimit të linjave ajrore mundësojmë rritje të ekonomisë dhe të komunikacionit ajror", tha kryeministri Kovaçevski në konferencën për shtyp në Qeveri. 

Qëllimi ynë strategjik, potencoi ai, është t'i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet që i ofrojnë Aeroporti Ndërkombëtar "Shkup" dhe aeroporti i Ohrit "Shën Apostul Pali".

"Angazhimi i Qeverisë është të mundësojmë shërbime cilësore me spektër më të gjerë të destinacioneve për qytetarët. Të dhënat tregojnë se në vitin 2022 i kemi transportuar mbi 2,3 milionë pasagjerë përmes dy aeroporteve tona. Kjo për Maqedoninë e Veriut do të thotë përforcim i lidhjeve ekonomike me destinacionet evropiane dhe botërore, tërheqje të investitorëve të rinj, por edhe mundësi për lëvizje të shpejtë dhe të papenguar të qytetarëve tanë të cilët dëshirojnë të udhëtojnë jashtë vendit ose të qytetarëve të huaj të cilët vijnë në shtetin tonë ose për punë ose për qëllime turistike. Gjithashtu, kjo do të thotë edhe tërheqje e numrit sa më të madh të shtetasve të huaj të cilët dëshirojnë ta vizitojnë vendin tonë", tha Kovaçevski.

Sipas Boçvarskit, janë vendosur destinacione të reja për të cilat ka pasur interesim të madh nga qytetarët. Ka, siç thotë ai, mjete shtesë që të publikohet edhe një thirrje e re nga fundi i vitit me qëllim që të tërhiqen destinacione të reja.

„Ka përgjigje pozitive ndaj kërkesave për persë destinacionet e reja prej këtyre dy kompanive ajrore, ndërsa çdo kompani tjetër që do të dëshirojë të operojë nga aeroportet tona drejt cilido destinacion evropian mund ta bëjë atë edhe pa subvencione. Por, mbetet e drejta e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, në qoftë se vlerësojmë se është e nevojshme, ndërsa unë vlerësoj se është e nevojshme dhe kemi mjete shtesë për të publikuar edhe një thirrje të re nga fundi i këtij viti me qëllim që të tërheqim mbase kompani të tjera ajrore por edhe destinacione shtesë për qytetarët tanë", tha Boçvarski.

Politikat tona, potencoi më tej Boçvarski, janë në drejtim për ta zhvilluar komunikacionin ajror në vend, të sigurojmë zhvillim cilësor për aviacionin civil, si edhe të formojmë çmime konkurruese dhe destinacione të reja për qytetarët tanë, si edhe për tërheqjen e turistëve nga e gjithë Evropa dhe më gjerë", tha ministri Boçvarski.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në buxhetin e saj sivjet i ka paraparë 1,1 milionë euro për këtë qëllim, ndërsa gjithsej pesë milionë euro për programin trevjeçar.

Shteti do të ndajë mbështetje financiare për fluturime të reja pas një pauze njëvjeçare. Bashkë me 1 marsin e vitit të kaluar, subvencione mbi këtë bazë ka marrë kompania "Viz Er" përmes tri marrëveshjeve të njëpasnjëshme.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR